qershor 22

Qershor 2022


Ekziston një shenjtëri praktike pa të cilën nuk do ta shohim Zotin. Shumë njerëz jetojnë sikur të mos ishte kështu.

Ka nga ata që rrëfejnë se janë të krishterë, të cilët jetojnë jetë aq të pashenjta saqë do të dëgjojnë fjalët e tmerrshme të Jezusit: “S’ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju që keni bërë paudhësi” (Mateu 7:23). Pali u thotë atyre që rrëfejnë se janë besimtarë: “Po të jetoni sipas mishit, do të vdisni” (Romakëve 8:13).

Prandaj, ekziston një shenjtëri pa të cilën askush nuk do ta shohë Zotin. Të mësuarit se si të luftosh për shenjtërinë me anë të besimit në hirin e ardhshëm është gjëja më e rëndësishme.

Ka një mënyrë tjetër për ta ndjekur shenjtërinë, e cila dështon dhe të çon në vdekje. Pali na paralajmëron kundër të shërbyerit të Perëndisë në ndonjë mënyrë tjetër përveç besimit në hirin e Tij fuqizues. Perëndia “as shërbehet nga duart e njerëzve, sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë, sepse ai u jep të gjithëve jetë, frymëmarrje dhe gjithçka” (Veprat 17:25). Çdo përpjekje për t’i shërbyer Perëndisë, e cila në vetë aktin e shërbimit nuk mbështetet tek Ai si shpërblimi i zemrave tona dhe si fuqia e shërbimit tonë, do ta çnderojë atë duke e trajtuar sikur të ishte një perëndi pagan dhe në nevojë.

Pjetri e përshkruan kështu alternativën e një shërbimi të tillë me forcën tonë ndaj Perëndisë: “Kush bën një shërbim, le ta bëjë në forcën që i jep Perëndia—që në gjithçka të përlëvdohet Perëndia nëpërmjet Jezu Krishtit” (1 e Pjetrit 4:11). Pali thotë: “Sepse nuk do të guxoj të flas për ndonjë nga ato gjëra të cilat Krishti nuk i bëri nëpërmjet meje” (Romakëve 15:18, shih gjithashtu 1 e Korintasve 15:10).

Çast pas çasti, hiri mbërrin te ne për të na fuqizuar të bëjmë “çdo vepër të mirë” që Perëndia cakton për ne. “Dhe Perëndia mund të bëjë që gjithë hiri të teprojë ndaj jush, që të keni gjithnjë mjaft në çdo gjë dhe t’ju teprojë për çfarëdo vepër të mirë” (2 e Korintasve 9:8).

Beteja për veprat e mira është një betejë për të besuar premtimet e hirit të ardhshëm.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia