“…Tani, me ta qëndronte aty edhe Juda, ai që po e tradhtonte.” GJONI 18:5
Në Kopshtin e Gjetsemanit, teksa ushtarët u afruan të arrestonin njeriun për të cilin krerët e judenjve kishin vendosur që tani duhej të vdiste, sigurisht që figura qendrore ishte Zoti Jezus.
Megjithatë, Juda luajti një rol kyç — dhe kjo na jep një mësim të vështirë. Tradhtia e Judës ndaj Krishtit zbulon një hipokrizi të thellë, e cila ishte rrënjosur në një mohim më të thellë. Tradhtia e tij shërben si një paralajmërim se si një zemër, edhe pse në dukje afër Perëndisë, ngurtësohet teksa ecën përgjatë shtegut të mosbesimit — një shteg që karakterizohet nga besimi i shkelur dhe shoqëria e prishur.
Kopshti i Gjetsemanit nuk ishte një kopsht i zakonshëm. Dukej që dishepujt e njihnin mirë këtë vend. Për Jezusin dhe të Dymbëdhjetët, ky ishte një vend shoqërie, çlodhjeje dhe, pa dyshim, një vend me shumë kujtime të lumtura. E megjithatë, Juda e tradhtoi Krishtin pikërisht në këtë vend të bukur. Është shumë befasuese që ai zgjodhi një vend kaq intim për të kryer një akt të tillë të turpshëm, njëlloj si një kurorëshkelës që e shkel besnikërinë martesore në shtratin e vet të martesës.
Imagjinojeni Judën duke ecur përgjatë shtegut dhe duke udhëhequr një grup ushtarësh e zyrtarësh judenj (Gjoni 18:3). Ai që ishte aq tmerrësisht i humbur nga ana frymërore, u bë udhërrëfyes: i verbri po udhëhiqte të verbrit. Shtegu i mosbesimit është një vend i vetmuar që shpesh kërkon rehatinë e rreme të një shoqërie të pashpresë.
Kopshti ishte një vend i bukur, i qetë, e megjithatë ishte dëshmitar i një ngjarjeje të tmerrshme. Kur mendojmë për vendet ku jemi tunduar për ta tradhtuar Krishtin — gjatë pushimeve të mrekullueshme, në rehatinë e shtëpive tona, madje edhe në vende ku Krishti na ka takuar më parë, na ka bekuar, na ka tërhequr dhe na ka fituar — e dallojmë qartë mbrapshtinë e zemrës sonë në gatishmërinë tonë për t’u bashkuar me Judën në tradhtinë e tij.
Le të na kujtojë shembulli i Judës se të gjithë duhet të jemi vigjilentë. Nuk ka vend për vetëkënaqësi në jetën e krishterë, pavarësisht se çfarë keni bërë ose keni parë, dhe pavarësisht se çfarë pozicioni keni në kishën tuaj. Fundja, Juda kishte jetuar me Jezusin për tre vjet, kishte parë mrekullitë e Tij dhe kishte dëgjuar mësimet e Tij. E megjithatë, ai e tradhtoi Atë. “Prandaj, ai që mendon se qëndron në këmbë, të ketë kujdes të mos bjerë” (I Korintasve 10:12).
Si të vazhdojmë të jemi ndjekës dhe të shmangim shtegun tragjik që ndoqi Juda? Siç na përgjërohet vazhdimisht Fjala e Perëndisë, ne duhet të ruhemi nga ngurtësimi i ngadalshëm i zemrës, i cili na bën të rrëshqasim në shtegun e mosbesimit. Përkundrazi, ne duhet të dëgjojmë Frymën e Shenjtë ndërsa Ai na udhëzon. Duhet të lutemi për zemra të buta, mendje të hapura dhe një nxitje në frymën tonë që na thotë: “Tani, shko dhe përqafoje këtë Krisht!”.
Mësimi i vështirë nga rasti i Judës është se vetëm me hirin e Perëndisë mund të qëndrojmë në këmbë. Prandaj, lutu që të mos gjendesh kurrë mes tradhtarëve: Më shpëto, o Zot, nga tundimet e vërteta për të mos besuar në Ty dhe për të të mohuar Ty. Më trego mrekullinë e mbrojtjes dhe të furnizimit Tënd, dhe ma ripërtëri sigurinë se Ti nuk do të humbasësh asnjë nga ata që të ka dhënë Ati.
