“…në dashuri, duke na paracaktuar për birësim nëpërmjet Jezu Krishtit për veten e vet, sipas pëlqimit të vullnetit të tij, për lavdërim të lavdisë së hirit të tij, të cilin na e dha hirësisht në të Dashurin.” EFESIANËVE 1:4-6
Në veprën e William Shakespeare-it, Tregtari i Venedikut, personazhi i Portias reciton një monolog që ilustron respektin e dramaturgut për parimet e mëshirës dhe faljes:
Edhe pse kërkesa juaj është për drejtësi, mendoni pak:
Në rrjedhën e drejtësisë askush nga ne
Nuk do të shohë shpëtim. Prandaj lutemi për mëshirë.
Kur shqyrtojmë doktrinën e zgjedhjes — që Perëndia na ka “paracaktuar për birësim” — s’ka pse të pyesim “Pse nuk i zgjodhi të gjithë Perëndia?”, por, përkundrazi, “Pse zgjodhi Perëndia që të kishte mëshirë për ndokënd?”. E vërteta është që, nëse do të jepej vetëm drejtësi, të gjithë ne do të përballeshim me dënimin, sepse mëkati ynë meriton dënim. Megjithatë, nga dashuria e Tij për ne, Perëndia zgjodhi që ne “të mos [humbasim], por të [kemi] jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16). Ai nuk na zgjodhi për shkak të ndonjë gjëje në ne (gjë që do të na jepte vend për krenari), por thjesht për shkak të dashurisë që është në Të (e cila duhet të na shtyjë që ta lavdërojmë dhe ta adhurojmë Atë).
Një nga efektet që të kuptuarit e zgjedhjes sonë ka te ne si të krishterë është se na shtrëngon që ta marrim më seriozisht mëkatin tonë, sepse qëllimi pse Ai na zgjodhi, është që “ne të jemi të shenjtë dhe të patëmetë përballë tij” (Efesianëve 1:4). Me fjalë të tjera, ndonëse Ai nuk na zgjodhi sepse jemi të shenjtë, ne jemi zgjedhur që të mund të bëhemi të shenjtë. Diçka është tmerrësisht gabim kur besimi në dashurinë zgjedhëse të Perëndisë rezulton në
pretendimin tonë për të jetuar në çfarëdo mënyre që duam. Në fakt, individët që jetojnë vazhdimisht në mëkat, e megjithatë thonë se janë të shpëtuar, tregojnë se nuk e kanë kuptuar fare Perëndinë ose ungjillin e Tij.
Ndryshe nga kjo, prova që jemi zgjedhur nga Perëndia, që jemi veçuar për Të dhe që Ai na ka shërbyer përmes Frymës së Tij të Shenjtë, në fund të fundit dallohet teksa përshtatemi gjithnjë e më shumë me shëmbëllimin e Birit të Tij. Rritja e pastërtisë morale është treguesi përfundimtar i përkushtimit të thellë ndaj Jezu Krishtit. Një interes i sinqertë dhe një mahnitje ndaj dashurisë zgjedhëse të Perëndisë prodhon te ne një përputhje me bukurinë e vetë Jezusit.
Çfarë duhet të presim të shohim në jetën e njerëzve që e kuptojnë vërtet këtë gjë? Ka të ngjarë që nuk do të shohim mburrje, një gjuhë egoiste ose mbrojtje pa vlerë të besimit të krishterë. Jo — ne do të shohim përulësinë që bashkëjeton me sigurinë, të folurit e tyre plot me Krishtin dhe jo me veten, si dhe një jetë plot gëzim e sakrifica. Kjo mund të jetë dhe duhet të jetë ajo që shihni në veten tuaj, edhe pse ende e papërsosur, por duke u rritur gradualisht. Pikërisht kjo do të rritet në ju deri në atë masë sa t’i thoni vetes me buzëqeshje dhe ndjesi mahnitjeje: “Nuk e zgjodha unë Atë; porAi më zgjodhi mua.”
