prill 22

Prill 2022


Arsyeja pse Perëndia dëshiron që ne të mos kemi frikë në lidhje me paratë apo gjëra të tjera të botës, është sepse ajo trimëri—liria e të mos qenët i shqetësuar—do të lartësojë pesë gjëra madhështore për Perëndinë.

Së pari, kur nuk kemi frikë, tregojmë se e çmojmë Perëndinë si Bariun tonë. “Mos ki frikë, o tufë e vogël.” Ne jemi tufa e Tij dhe Ai është Bariu ynë. Nëse Ai është Bariu ynë, atëherë zbatohet Psalmi 23:1: “Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë”—domethënë, nuk do të më mungojë asgjë që kam vërtet nevojë.

Së dyti, kur nuk kemi frikë, tregojmë se e çmojmë Perëndinë si Atin tonë. “Sepse Atit tuaj i pëlqeu t’ju japë mbretërinë.” Ne nuk jemi vetëm tufa e Tij e vogël; ne jemi gjithashtu fëmijët e Tij dhe Ai është Ati ynë. Ai kujdeset me të vërtetë dhe e di se për çfarë keni nevojë. Ai do të punojë që ju të jeni të sigurt se keni atë që ju nevojitet.

Së treti, kur nuk jemi në ankth, tregojmë se e çmojmë Perëndinë si Mbretin tonë. “Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’ju japë mbretërinë.” Ai na jep “mbretërinë”, sepse Ai është Mbreti. Kjo i shton një element të jashtëzakonshëm fuqie Atij që siguron për ne. Fjala “Bari” flet për mbrojtje dhe sigurim. Fjala “Atë” flet për dashuri, butësi, autoritet, sigurim dhe udhëheqje. Fjala “Mbret” flet për pushtet, sovranitet dhe pasuri.

Së katërti, kur nuk kemi frikë, tregojmë se Perëndia është i lirë dhe bujar. Vër re, Ai jep mbretërinë. “Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’ju japë mbretërinë.” Ai nuk e shet mbretërinë, nuk e jep me qira apo hua. Ai është pafundësisht i pasur dhe nuk ka nevojë për pagesat tona. Prandaj, Perëndia është bujar dhe i lirë me pasurinë e Tij. Ky është tipari i Tij, të cilin ne e lartësojmë kur nuk kemi frikë, por i besojmë Atij për nevojat tona.

Së fundi, kur nuk kemi frikë—kur nuk jemi të shqetësuar—tregojmë besim se Perëndia dëshiron vërtet që ta bëjë këtë. “Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’ju japë mbretërinë.” Kjo i jep kënaqësi Atij. Ai e bën këtë pa hezitim. Ai gëzohet që të na e japë mbretërinë. Jo të gjithë kemi pasur etër të tillë, që lumturoheshin kur jepnin dhe jo kur merrnin. Gjithsesi, ai pikëllim nuk është më gjëja kryesore, sepse tani mund të keni një Atë, një Bari dhe një Mbret që gëzon në dhënie.

Prandaj, ideja e këtij vargu është që ne duhet ta çmojmë Perëndinë si Bariun, si Atin dhe si Mbretin tonë, i cili është bujar dhe i lumtur për të na dhënë mbretërinë e Tij—për të na dhënë qiellin, për të na dhënë gëzimin dhe jetën e përjetshme, si dhe çdo gjë tjetër që na nevojitet për të arritur atje.

Nëse e çmojmë Perëndinë kështu, do të jemi sypatrembur dhe Perëndia do të adhurohet.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia