“Se njëmend, megjithëse duhet të ishit mësues për nga koha, përsëri keni nevojë që t’ju mësojë ndokush elementet e fillimit të thënieve të Perëndisë…” HEBRENJVE 5:12
Nëse mbani shumë pajisje stërvitjeje në bodrumin tuaj, por nuk i ngrini kurrë peshat për të stërvitur muskujt ose për të forcuar shëndetin tuaj kardiovaskular, kjo do të jetë e padobishme. Muskujt rriten me anë të përdorimit të vazhdueshëm. Një trajner personal mund të jetë i dobishëm, por ne, gjithashtu, duhet të angazhohemi për të trajnuar veten. Kur Pali i shkroi Timoteut: “…stërvite veten tënde për përshpirtëri” (I Timoteut 4:7), ai po theksonte se asnjë model, udhëheqës apo mik nuk mund ta bënte punën e vështirë në vend të tij.
Ndërsa rritemi në ecjen tonë të krishterë, ne mësojmë të vërtetat elementare, duke i vënë ato gradualisht në praktikë dhe duke u rritur në dallim frymëror. Ky proces na ndihmon për të kaluar nga qumështi në ushqim të fortë (Hebrenjve 5:12-14), nga foshnjëria frymërore në pjekuri frymërore, në mënyrë që më në fund të fillojmë të mësojmë të tjerët. Ky është një cikël jetësor i projektuar nga Perëndia, që synon ta zgjerojë mbretërinë e Tij.
Nëse e ndryshojmë metaforën, të vërtetat themelore të krishterimit janë jetike; gjithçka tjetër që mësojmë për Krishtin, është ndërtuar mbi to. Mirëpo nuk është e frytshme të rrimë përgjithmonë mbi to. Ne duhet të jemi të zellshëm për të përparuar në jetën e krishterë, duke u përpjekur vazhdimisht të rritemi në shenjtëri, duke i kërkuar Frymës të na ndërtojë ndërsa thellohemi më shumë në fjalën e Tij të frymëzuar.
Perëndia nuk i përshtat fëmijët e Tij me shëmbëllimin e Birit të Tij në izolim nga jeta ose udhëzimi i fjalës së Tij. Ndërsa stërviteni në Shkrimet dhe i rrokni ato, kështu bëni përparim. A tregon Bibla juaj shenja të përdorimit të përditshëm e të disiplinuar? A kërkoni qëllimisht të mësoni nga ata që kanë ecur më larg se ju në jetën e krishterë, dhe a përlesheni me doktrina të vështira, në vend që t’i lini ato për “ekspertët”? A lexoni, përlesheni dhe meditoni me synimin për t’u rritur në dashurinë tuaj për Krishtin dhe në aftësinë tuaj për t’u shërbyer të tjerëve në kishën dhe komunitetin tuaj, dhe jo thjesht për të ditur më shumë? Mos lejoni kurrë që të thuhet për ju se mund të ishit rritur më shumë dhe të kishit bërë më shumë për ta ndihmuar popullin e Perëndisë. Përpiquni të rriteni. Kjo do të kërkojë ndihmën e Perëndisë — por ndërsa e kërkojmë Atë, Ai me siguri do t’i nderojë përpjekjet tona!
