Gusht 2026
Sa herë që këshilloj të krishterë të cilët kërkojnë sigurinë e shpëtimit, i çoj te I e Gjonit. Kjo letër e shkurtër është shumë ndihmuese për të përcaktuar nëse jemi në besim apo jo. Në veçanti, te I e Gjonit na jepen tri shenja, në mënyrë që t’i përgjigjemi pyetjes: “A kam siguri të plotë apo dënim?”.
Shenja e parë është teologjike
Ju duhet të keni siguri të plotë nëse besoni te Jezu Krishti, Biri i Perëndisë (5:11-13). Gjoni nuk dëshiron që njerëzit të dyshojnë. Perëndia dëshiron që ju të keni siguri, të dini se keni jetë të përhershme. Dhe kjo është shenja e parë: që ju besoni te Jezusi. Ju besoni se ai është Krishti ose Mesia (2:22). Ju besoni se ai është Biri i Perëndisë (5:10). Dhe ju besoni se Jezu Krishti ka ardhur në mish (4:2). Kështu që, nëse gaboni në teologjinë tuaj për Jezusin, ju nuk do të keni jetë të përhershme. Por një nga shenjat që duhet t’ju japë siguri të plotë përpara Perëndisë është se ju besoni te Biri i tij i vetëmlindur, Jezu Krishti, Zoti ynë (4:14-16; 5:1, 5).
Shenja e dytë është morale
Ju duhet të keni siguri të plotë nëse jetoni një jetë të drejtë (3:6-9). Ata që jetojnë duke praktikuar ligësi, që zhyten me kokë në mëkat, që jo vetëm pengohen, por edhe e kanë zakon të ecin në ligësi — nuk duhet të ndihen të sigurt. Kjo nuk ndryshon nga ajo që na thotë Pali te Romakëve 6, se ne nuk jemi më skllevër të mëkatit, por skllevër të drejtësisë; si dhe te Galatasve 5, se ata që ecin sipas mishit nuk do ta trashëgojnë mbretërinë. Kjo nuk ndryshon nga ajo që na thotë Jezusi te Mateu 7, se një pemë e mirë nuk mund të japë fruta të këqija dhe një pemë e kalbur nuk mund të japë fruta të mira. Kështu që, nëse jetoni një jetë të drejtë moralisht, duhet të keni siguri të plotë (3:24). Dhe që ky standard të mos ju çojë në dëshpërim, mbani parasysh se pjesë e të jetuarit të një jete të drejtë është të refuzoni pretendimin se jetoni pa mëkat, si dhe të vini te Krishti për pastrim kurdo që mëkatoni (1:9-10).
Shenja e tretë është shoqërore
Ju duhet të keni siguri të plotë nëse i doni të krishterët e tjerë (3:14). Nëse urreni si Kaini, ju nuk keni jetë. Por nëse zemra dhe kuleta juaj janë të hapura për vëllezërit dhe motrat tuaja, jeta e përjetshme qëndron në ju. Një shenjë e domosdoshme e jetës së vërtetë frymërore është që ne e duam njëri-tjetrin (4:7-12, 21).
Këto janë tri shenjat dalluese të Gjonit për të na siguruar se jemi në rrugën që çon në jetën e përjetshme. Këto nuk janë tri gjëra që duhet t’i bëjmë për të fituar shpëtimin, por tre tregues se Perëndia vërtet na ka shpëtuar. Ne besojmë te Jezu Krishti, Biri i Perëndisë. Ne jetojmë një jetë të drejtë. Ne jemi bujarë ndaj të krishterëve të tjerë. Ose mund ta formulojmë kështu: e dimë se e kemi jetën e përjetshme nëse e duam Jezusin, i duam urdhërimet e tij dhe e duam popullin e tij. Asnjë nga të tria nuk është opsionale. Të gjitha duhet të jenë të pranishme tek i krishteri, dhe të tria janë të destinuara të jenë shenja për sigurinë tonë (shih 2:4, 6; 4:20; 5:2).
Gjoni këmbëngul vazhdimisht në të njëjtat pika. A e doni Perëndinë? A i doni urdhërimet e tij? A e doni popullin e tij? Nëse jo, është një shenjë se keni vdekje. Nëse po, është një shenjë se keni jetë. Dhe kjo do të thotë siguri të plotë në vend të dënimit.
Kevin DeYoung është pastori kryesor i kishës “Christ Covenant” (PCA) në Matthews, North Carolina dhe profesor i asociuar i teologjisë sistematike në Reformed Theological Seminary.
Botuar me leje: https://clearlyreformed.org/how-do-i-know-im-a-christian
Përktheu: Nazmi Berisha | Redaktoi: Lea Allkoja
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2026

