21 shkurt

Shkurt 2022


Krishti nuk ishte vetëm shërbëtori i popullit të Tij kur jetoi mbi tokë, por Ai do të jetë shërbëtori ynë kur të vijë sërish gjithashtu. “Në të vërtetë po ju them se ai vetë do të ngjeshet dhe do t’i ulë ata në tryezë, dhe do të vijë pranë dhe do t’u shërbejë” (Luka 12:37). Jezusi e dha këtë si një tablo për atë që do të bëjë në kthimin e Tij.

Jo vetëm kaq, por Ai është shërbëtori ynë tani. “’Nuk do të të lë, as nuk do të të braktis.’ Kështu mund të themi, me guxim: ‘Zoti është ndihmuesi im dhe unë nuk do të kem frikë; ç’do të më bëjë njeriu?’” (Hebrenjve 13:5-6).

A e nënvlerësojmë Krishtin e ringjallur—nëse themi se Ai ishte, është dhe do të jetë shërbëtori i popullit të Tij? Po, nëse fjala “shërbëtor” do të kishte kuptimin “dikush që merr urdhra,” ose nëse do të mendonim se ne ishim zotërinjtë e Tij. Kjo do ta çnderonte. Por nuk e çnderon Krishtin kur themi se ne jemi të dobët dhe kemi nevojë për ndihmën e Tij.

Nuk e çnderon Atë, të thuash se Ai është i vetmi që mund të na shërbejë me atë që kemi nevojë më tepër.

Nuk e çnderon Atë, të thuash se Ai është një burim i pashtershëm dashurie, që sa më shumë na ndihmon dhe sa më tepër që varemi te shërbimi i Tij, aq më të mahnitshme duken se janë burimet e Tij. Prandaj, me guxim mund të themi: “Jezu Krishti është i gjallë për të shërbyer!”

Ai është i gjallë për të shpëtuar. Ai është i gjallë për të dhënë. Ai është i ngazëlluar të jetë i tillë.

Ai nuk rëndohet nga shqetësimet e tua. Jezusi ngazëllon duke mbajtur barrë dhe jo duke vendosur barrë. Atij i pëlqen të punojë “për atë që ka shpresë tek ai” (Isaia 64:4). Ai “kënaqet...me ata që shpresojnë në mirësinë e tij” (Psalmi 147:11). Sytë e Tij “përshkojnë tërë dheun për të treguar forcën e tij ndaj atyre që kanë një zemër të ndershme ndaj tij” (2 i Kronikave 16:9).

Jezu Krishti është i tejmbushur me shërbim të gjithëpushtetshëm për hir të të gjithë atyre që i besojnë Atij.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia