“Dashuria të jetë jo e shtirur…” ROMAKËVE 12:9
Filmi mund ta kapë në mënyrë madhështore disonancën që mund të shfaqet mes asaj që thotë një personazh dhe asaj që po ndodh vërtet brenda mendjes së tij. Kjo zakonisht dallohet në një pamje të fokusuar te sytë e aktores: “E po, sa e mrekullueshme që ju shoh përsëri, zoti Jenkins!”, thonë buzët e saj, e megjithatë, nga mimika, publiku e kupton se ajo nuk i ka me gjithë mend ato që po thotë. Në të vërtetë, ajo po thotë: “Po të kisha mundësi, do t’ju kisha shmangur, zoti Jenkins — por tani kam ngecur këtu me ju.”
Ajo që del nga goja, nuk është medoemos e vërteta. Shumë zemra janë thyer dhe jetë janë shkatërruar nga dikush që ka thënë: “Të dua” pa e pasur me gjithë mend. Dashuria e vërtetë e krishterë, sipas Shkrimit, është gjithmonë autentike. Pali ballafaqon rrezikun e mashtrimit dhe të qenët i përciptë, duke e inkurajuar besimtarin të dojë me sinqeritet — domethënë, me një zemër që përputhet me fjalët e tij. Ne jemi çliruar nga tirania e të vepruarit sikur i pëlqejmë të gjithë ose duke menduar se duhet të pëlqehemi nga të gjithë; dhe në Krishtin, ne, gjithashtu, jemi aftësuar në mënyrë të mbinatyrshme për të dashur edhe ata që më parë nuk do të donim t’i kishim afër.
Në të vërtetë, W. E. Vine-i thotë se “dashuria e krishterë nuk shkon gjithmonë përkrah prirjes së natyrshme dhe as nuk e jep veten vetëm për ata me të cilët ka zbuluar se ka një- farë afrimiteti”. Me fjalë të tjera, kjo nuk është e natyrshme. E natyrshme është të duam vetëm ata që i konsiderojmë si të denjë për t’u dashur — ata që janë si ne, që përshtaten brenda kornizës sonë dhe që i përmbushin pritshmëritë tona. Por dashuria e vërtetë nuk është konvencionale. Ajo i kapërcen caqet e racës, intelektit dhe pozitës shoqërore. Ajo i kapërcen të gjitha caqet e vendosura nga njeriu.
Kjo është dashuria e Romakëve 5:8: “…Perëndia e nxjerr në pah dashurinë e vet ndaj nesh në atë që, ndërsa ne ishim ende mëkatarë, Krishti vdiq për ne.” Dashuria e sinqertë mund të vijë vetëm si fryt i hirit të Perëndisë. Ajo është një pasqyrim i flijimit të Jezusit për ne. Kur dashuria e Perëndisë formëson jetën e një besimtari, fjalët dhe veprat tona do të tejmbushen me atë dashuri.
Pali shpresonte që kur njerëzit të shihnin kishën e hershme në Romë, të thoshin: “Ka diçka ndryshe në mënyrën se si këta njerëz e duan njëri-tjetrin.” Edhe sot, thirrja e Perëndisë për ty në marrëdhëniet e tua me të krishterët e tjerë është e njëjtë. Mos u kënaq me një dashuri sipërfaqësore, të dobët ose të rreme. Mos lejo që zemra jote të jetë e ftohtë, edhe atëherë kur je duke thënë të gjitha gjërat e duhura. Le të jetë e sinqertë dashuria jote — duke soditur Atë që të deshi deri në vdekje, pavarësisht se je mëkatar. Le të jetë lutja jote që dashuria jote të jetë ndryshe dhe më e thellë, që të mund të tregosh drejt Atij prej të cilit rrjedh e gjithë dashuria e vërtetë.
