22 Qershor 2026

“…Kini neveri të ligën, ngjitjuni së mirës.” ROMAKËVE 12:9

Çdo pacient që i është nënshtruar një transplanti të palcës së kockave, e di rëndësinë e të qenët i izoluar nga çdo mundësi infektimi. Për shkak se sistemi i tyre imunitar është shumë i dobësuar, ata janë shumë më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve sesa një person i zakonshëm. Nëse një vizitor vjen duke u kollitur dhe duke nxjerrë spërka, justifikimi i tij me fjalët “nuk është ndonjë gjë e madhe”, do të ishte diçka e neveritshme për pacientin dhe doktorët e tij. Ne duhet t’i rezistojmë çdo sëmundjeje sikur të ishte një murtajë, sepse pasojat e saj janë potencialisht fatale.

Kur bëhet fjalë për të keqen, dashuria e krishterë duhet të pasqyrojë këtë lloj mendësie radikale. Nuk mund të themi se i duam të tjerët me të vërtetë, nëse e ruajmë, apo madje edhe vetëm sa e tolerojmë, të keqen në zemrat tona dhe distancohemi nga e mira. Nuk mund të luajmë me ligësinë, duke kërkuar të vendosim një qasje mosndërhyrjeje ndaj mëkateve të veçanta. “Neveri” është fjala më e fortë që mund të përdorë Pali. Ai nuk është asnjëanës kur bëhet fjalë për pastërtinë.

Në fillim të këtij vargu, Pali i ka udhëzuar tashmë lexuesit e tij që “dashuria të jetë jo e shtirur”. Prandaj, a nuk është interesante që Pali e ndjek menjëherë “dashurinë” me një fjalë që, në thelb, do të thotë “urrej”? Shpesh mendojmë se nëse duam, nuk duhet të urrej më asgjë dhe askënd, por ky është thjesht sentimentalizëm. Pali e bën të qartë se dashuria “nuk gëzohet për padrejtësinë” (I Korintasve 13:6). Nëse e doni bashkëshorten tuaj me pastërti pasionante, atëherë ju e urreni gjithçka që do t’jua grabiste atë marrëdhënie; për ndryshe, dashuria juaj nuk është dashuri. E njëjta gjë vlen edhe për dashurinë tonë për gjërat e Perëndisë. Ne nuk mund ta duam shenjtërinë pa urryer të kundërtën e saj.

Ndërsa Pali vazhdon, ai kthehet nga forma mohore tek ajo pohore, duke përdorur të njëjtën frazë, “ngjitjuni”, që përdor edhe Jezusi për të përshkruar marrëdhënien mes një burri dhe një gruaje (shih Mateu 19:5). Pali nuk e përdor këtë frazë në mënyrë arbitrare. Martesa është bashkimi më i afërt njerëzor i mundshëm — psikologjikisht, intelektualisht dhe frymërisht. Prandaj, Pali po thotë këtu se dashuria e krishterë duhet të ketë një përkushtim “superngjitës” ndaj mirësisë.

Ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos biem në grackën e botës për ta quajtur “të mirë të keqen dhe të keqe të mirën”, ose të jemi ata “që e ndërrojnë terrin në dritë dhe dritën në terr” (Isaia 5:20). Populli i Perëndisë e kupton se ka një kohë për të dashur dhe një kohë për të urryer (Predikuesi 3:8). Atëherë, si do ta përshkruaje qëndrimin tënd ndaj së keqes — sidomos ndaj atyre mëkateve që të tërheqin më shumë ose që duartrokiten më shumë nga ata që jetojnë rreth teje? Çfarë do të ndryshonte po t’i urrenit ato mëkate? Sot, mbështetuni në Frymën e Perëndisë, që t’ju aftësojë për të dashur siç duhet, duke e urryer atë që Perëndia e urren, duke përsëritur lutjen e John Baillie-t: “O Perëndi, më jep fuqinë për të ndjekur atë që është e mirë. Tani ndërsa lutem, le të mos formohet në mendjen tonë asnjë qëllim i fshehtë i së keqes, që pret mundësinë për t’u përmbushur.”

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

MARKU 9:42-50