“Ja, Zoti, Perëndia, vjen me fuqi dhe krahu i tij sundon për të. Ja, e ka shpërblimin me vete dhe shpërblimi i tij e pararend. Ai do të kullosë kopenë e tij si një bari, do t’i mbledhë qengjat me krahun e tij…” ISAIA 40:10-11
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë qenë kurrë të interesuara për sovranët apo sovranitetin e tyre. Ne parapëlqejmë dikë të cilin mund ta zgjedhim me votë për një pozitë të caktuar dhe të cilit mund t’i drejtohemi kur të na nevojitet — dhe ta heqim nga pozita me votë kur të duam! Po të tregohemi të sinqertë, kjo shpesh është e vërtetë edhe për mënyrën se si i qasemi Perëndisë. Ne parapëlqejmë të kontrollojmë, në vend që të na kontrollojnë.
Megjithatë, Perëndia nuk mund të kontrollohet dhe as të ribëhet sipas imazhit tonë. Ai është Zoti sovran, ekzistenca e të cilit bie në kontrast të përkryer me dobësinë tonë njerëzore dhe me natyrën tonë të kufizuar. Ne jemi si bari dhe lulet e pranverës, të cilat thahen dhe bien. Por nuk ndodh kështu me Perëndinë, i cili ka sunduar dhe ka mbretëruar mbi gjithçka për gjithë përjetësinë. Madje edhe Fjala e Tij mbetet përjetë (Isaia 40:6-8).
Në sovranitetin e Tij, Perëndia ka korrur një fitore të mahnitshme: fitoren mbi mëkatin dhe vdekjen. Në urtësinë e Tij të pamasë, Ai, Ligjvënësi, erdhi në personin e Jezusit, iu nënshtrua dhe e përmbushi po atë ligj që Ai kishte dhënë, dhe më pas vdiq në vend të mëkatarëve, për të paguar borxhin tonë dhe për të na dhënë jetën e përjetshme. Ashtu siç predikoi Pjetri: “Atë e ringjalli Perëndia… për shkak se nuk ishte e mundur që ai të mbahej…” nga fuqia e vdekjes (Veprat e Apostujve 2:24). Kjo është fitorja e Tij.
Edhe pse Perëndia është Zoti sovran, Ai është gjithashtu Bariu ynë i butë. Ai nuk vjen te populli i Tij si ndonjë gjeneral i madh në një fushë beteje; përkundrazi, Ai e mban tufën e Tij pranë Vetes, duke e udhëhequr me dhembshuri. Ata që dikur ishin të trishtuar, të tëhuajtur dhe fajtorë që jetonin me frikën e vdekjes, tani janë liruar. Ai shpall me ngadhënjim: “…unë i ruajta në emrin tënd, të cilin ma ke dhënë mua, dhe i mbrojta; dhe asnjë prej tyre nuk humbi…” (Gjoni 17:12).
Ne mund të gëzohemi në sovranitetin e Perëndisë, sepse Ai është njëherazi i pushtetshëm dhe i butë, Bariu që kërkon të kthejë të humburit dhe të përmbushë misionin e Tij. Kur Ai vepron, zëri i Tij flet dhe të shurdhrit dëgjojnë, drita e Tij shkëlqen dhe të verbrit shohin. Ne jemi mbledhur rreth zemrës së këtij Bariu të butë dhe mund të jetojmë me sigurinë që kjo botë i përket Atit tonë sovran.
Një nga sfidat në jetën e krishterë është të kesh një pikëpamje mjaftueshëm të madhe për Perëndinë: ta njohim Atë si “Zoti, Perëndia”, i cili “vjen me fuqi” dhe para të cilit shkojmë me frikë nderuese, dhe si Ai që “do të kullosë kopenë e tij si një bari” dhe të cilin e ndjekim në miqësi të ngushtë. Zoti Jezus është njëherazi Luani dhe Qengji (Zbulesa 5:5-6). Cilin prej tyre e keni më të vështirë ta kujtoni dhe ta jetoni në përputhje me realitetin që paraqet? Kujtojini të dy dhe kështu do t’i bindeni Atij dhe do të kënaqeni në Të, njëherazi si Sovrani juaj dhe si Bariu juaj.
