prill 21

Prill 2022


Një nga pyetjet që ngrita kur po predikoja për t’i dashur armiqtë tanë, nga Mateu 5:44 ishte: Si mund t’i duash njerëzit që të rrëmbejnë dhe pastaj të vrasin?

Si mund ta bësh këtë? Prej nga vjen fuqia për të dashur kështu? Mendoni sa e mahnitshme është kjo kur shfaqet në botën reale! A mund ta shfaqë dikush më tepër se kaq të vërtetën dhe fuqinë e realitetit të Krishtit?

Unë besoj se Jezusi na e jep çelësin për këtë dashuri të skajshme dhe vetëflijuese të përshkruar te Mateu 5:44, në vargjet paraardhëse të të njëjtit kapitull.

Te Mateu 5:11-12, Ai flet sërish për të qenët i përndjekur, ashtu sikurse tha edhe te Mateu 5:44: “Duajini armiqtë tuaj... dhe lutuni... për ata që ju përndjekin.” E jashtëzakonshmja në këto vargje është që Jezusi thotë se jo vetëm që ju jeni në gjendje të duroni keqtrajtimin e armiqve tuaj, por edhe të gëzoheni në to. “Lum ju kur do t’ju fyejnë dhe do t’ju përndjekin... Gëzohuni dhe ngazëllohuni.”

Kjo duket edhe më e paarritshme për ne sesa lutja për armiqtë tanë apo rasti kur u bëjmë të mira. Nëse mund ta bëj këtë që është e pamundur nga ana njerëzore—domethënë, të ngazëllohem në të qenët i përndjekur—atëherë do të jetë e mundur që t’i dua përndjekësit e mi. Nëse mrekullia e gëzimit mund të ndodhë në mes të tmerrit të padrejtësisë, dhimbjes dhe humbjes, atëherë mund të ndodhë edhe mrekullia e dashurisë për shkelësit.

Në këto vargje, Jezusi na jep çelësin e gëzimit. Ai thotë: “Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej.” Çelësi i gëzimit është besimi në hirin e ardhshëm të Perëndisë—domethënë, të jesh i kënaqur në gjithçka që Perëndia premton të jetë për ty. Ai thotë: “Gëzohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh.” Gëzimi ynë në përndjekje është gëzimi i qiellit që derdhet në këtë çast tmerri dhe na çliron për të dashur. Pra, ky gëzim është fuqia çliruese për t’i dashur armiqtë, kur ata na përndjekin.

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë urdhërimi për të dashur është në mënyrë të nënkuptuar edhe një urdhërim për të pasur në mendje gjërat që janë lart—gjithçka që Perëndia premton të jetë për ne—dhe jo gjërat që janë mbi tokë (Kolosianëve 3:2).

Urdhërimi për t’i dashur armiqtë tanë, është një urdhërim për ta gjetur shpresën dhe kënaqësinë më të thellë të shpirtit tonë në Perëndinë dhe në shpërblimin e Tij të madh—në hirin e Tij të ardhshëm. Çelësi për dashurinë e skajshme është besimi në hirin e ardhshëm. Në mes të agonisë sonë ne duhet të jemi të bindur tonë se dashuria e Perëndisë është “më e mirë se jeta” (Psalmi 63:3). T’i duash armiqtë e tu nuk është mënyra për të fituar shpërblimin e qiellit. Duke e çmuar shpërblimin e qiellit, fuqizohesh për t’i dashur armiqtë e tu.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia