janar 21

Janar 2022


“Lum ju kur do t’ju fyejnë dhe do t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë çdo lloj fjale të keqe kundër jush, për shkakun tim.” (Mateu 5:11)

Jezusi zbuloi një sekret që e mbron lumturinë tonë nga kërcënimi i vuajtjes dhe nga kërcënimi i suksesit. Sekreti është ky: Shpërblimi juaj është i madh në qiej. Tërësia e atij shpërblimi është të shijuarit e plotësisë së lavdisë së Jezu Krishtit (Gjoni 17:24).

Jezusi e mbron lumturinë tonë nga vuajtja kur thotë:

Lum ju kur do t’ju fyejnë dhe do t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë çdo lloj fjale të keqe kundër jush, për shkakun tim. Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej.” (Mateu 5:11-12)

Shpërblimi ynë i madh në qiej e shpëton gëzimin tonë nga kërcënimi i përndjekjes dhe i ofendimit.

Ai e mbron gjithashtu gëzimin tonë nga suksesi kur thotë:

“Mos u gëzoni për këtë se po ju nënshtrohen frymërat, por gëzohuni më shumë se emrat tuaj janë shkruar në qiej.” (Luka 10:20)

Dishepujt u tunduan që ta vendosnin gëzimin e tyre në suksesin e shërbesës. “Edhe demonët na nënshtrohen në emrin tënd!” (Luka 10:17). Sidoqoftë, kjo do t’ua kishte shkëputur gëzimin nga e vetmja spirancë e sigurt.

Prandaj, Jezusi e mbron gëzimin e tyre nga kërcënimi i suksesit duke iu premtuar shpërblimin shumë herë më të madh në qiej. Gëzohuni për këtë: që emrat tuaj janë shkruar në qiej. Trashëgimia juaj është e pafundme, e përjetshme dhe e sigurt.

Gëzimi ynë është i sigurt. As vuajtja dhe as suksesi nuk mund ta shkatërrojnë dot spirancën e tij. Shpërblimi yt është i madh në qiej. Aty është shkruar emri yt dhe atje është i sigurt.

Jezusi e ankoroi lumturinë e shenjtorëve të përvuajtur në shpërblimin e qiellit dhe po në të njëjtin vend, Ai ankoroi lumturinë e shenjtorëve të suksesshëm.

Kështu Ai na çliroi nga tirania e dhimbjes dhe kënaqësisë së botës—na çliroi nga vuajtja dhe suksesi i botës.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia