“Se për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim. Por nëse është të jetuarit në mish, kjo për mua do të thotë punë e frytshme; dhe çfarë do të zgjedh nuk e di. Por jam i zënë ngushtë prej të dyjave: duke pasur dëshirimin për t’u nisur e për të qenë bashkë me Krishtin, sepse kjo është shumë-shumë më e mirë, por të ndenjurit në mish është më i nevojshëm për dobinë tuaj.” FILIPIANËVE 1:21-24
A ju kujtohet kur vizitonit të afërmit ndërsa ishit fëmijë? Ndoshta disa vizita i shihnit me frikë, sepse personi që do të vizitonit, nuk ishte dikush me të cilin ndiheshit i afërt ose rehat. Por pastaj ishin ato vizitat e veçanta me ata që i donit shumë. Ndoshta ju pritën te dera me një përqafim ose e ndjetë menjëherë aromën e biskotave të sapopjekura! Mezi prisnit t’i takonit! Ata ishin njerëz të çmuar për ju dhe mezi prisnit të ishit në praninë e tyre.
Për apostullin Pal, Jezusi ishte një njeri i tillë. Pali ishte plot me gëzim, edhe ndërkohë që ishte i burgosur, për shkak të rëndësisë që Jezusi kishte për të. Ai mezi e priste çastin kur do të hynte në praninë e Jezusit. Jezusi ishte gjithçka për Palin.
A mund të thuash edhe ti të njëjtën gjë për Jezusin? Apo mos vallë gëzimi ynë tokësor është i lidhur me gjërat e përkohshme si martesa, fëmijët, puna ose ndikimi ynë? Nëse gjithçka që ta ngazëllon shpirtin dhe gjithçka që i jep trajtë identitetit tënd është e lidhur me gjërat tokësore, atëherë të qenët me Jezusin e humbet forcën e vet tërheqëse. Prandaj do të tregoheshim të urtë nëse do të kujtonim që identiteti ynë gjendet në Të, sepse një ditë çdo gjë tjetër do ta lëmë pas.
Mund të keni dëgjuar të thuhet për dikë se është aq i përqendruar te gjërat qiellore, saqë nuk është fare i dobishëm këtu mbi tokë. E po, ne mund të jemi gjithashtu aq të përqendruar te gjërat tokësore, saqë nuk jemi fare të dobishëm për qiellin. Ndonjëherë tundohemi që të dëshirojmë të kemi pikërisht tani gjëra si shëndeti i përsosur, fundi i pikëllimit dhe jeta pa asnjë pasiguri. Realiteti është që ne do të humbasim të afërm, do të marrim lajme të tmerrshme nga spitali ose do të përballemi me zhgënjim dhe fatkeqësi. Mirëpo të gjitha këto janë pjesë e së tashmes. Dilema e Palit në këtë letër ishte të ekuilibronte të tashmen me të ardhmen. Edhe pse ai dëshironte të largohej, kjo nuk ishte që ai të mund të shpëtonte nga rrethanat e tij. Sigurisht që ai duroi shumë sprova të vështira, mirëpo për të, qielli nuk ishte thjesht lehtësim nga vuajtjet tokësore. Ai nuk po hidhte mënjanë jetën për të përqafuar vdekjen; ai dëshironte fort që të ishte me Jezusin, ngaqë e dinte se kjo do të ishte fantastike.
Të gjithëve ne do të na duhet të zbulojmë se si të jetojmë me besnikëri në të tashmen ndërkohë që presim realitetin e të qenët me Jezusin. Pali e dalloi që, ndërsa ende merrte frymë, ai duhej të vazhdonte të ishte i palëkundur në shërbesën e tij tokësore, derisa Krishti ta thërriste në shtëpinë e tij në qiell. Prandaj, kaloni disa çaste duke menduar për Krishtin në të gjitha përsosmëritë e Tij të dashura. Pastaj kaloni ca kohë duke e shijuar të vërtetën e madhe që një ditë do ta shihni Atë, ndërsa Ai do t’ju mirëpresë në lavdinë e Tij. Një ditë, prania e Tij do të bëhet e tashmja juaj. Deri atëherë, ju mund të bëni atë që bëri Pali dhe të jetoni plotësisht për Krishtin, duke e ditur se vdekja do të jetë thjesht fitim.
