“Me anë të besimit Moisiu, kur u bë i madh, nuk pranoi të quhet bir i bijës së Faraonit, duke parapëlqyer më tepër që të keqtrajtohet bashkë me popullin e Perëndisë, sesa të ketë një shijim të përkohshëm të mëkatit.” HEBRENJVE 11:24-25
Nuk mund të jemi njëkohësisht miq me botën dhe miq me Perëndinë (Jakobi 4:4). Ata që përpiqen të ndjekin shtegun mes tyre, herët ose vonë zbulojnë sa e kotë dhe zhgënjyese është kjo përpjekje: që, e thënë me fjalët e Kris Kristofferson-it, na bën të jemi “një kontradiktë e gjallë”.
Si djali i birësuar i bijës së Faraonit, Moisiu gëzonte pozitë shoqërore, rehati fizike dhe pasuri materiale. Si izraelit, jashtë oborrit të Faraonit, atë e priste vetëm mungesa e famës, varfëria dhe skllavëria. Moisiu e dinte se po të qëndronte në oborrin e Faraonit, jeta e tij do të ishte më e mirë në çdo aspekt sipas botës. Ai mund të kishte arsyetuar që kjo do t’i jepte mundësi për të ushtruar ndikim për llogari të popullit të Perëndisë, gjë që nuk do të ishte kurrë e mundur nëse ai do të shkonte dhe do t’u bashkohej atyre.
Mirëpo Moisiu nuk qëndroi në familjen e Faraonit. Përkundrazi, ai i hodhi poshtë privilegjet e qytetarisë në Egjipt dhe u identifikua me një grup të thjeshtë, të përçmuar dhe të shtypur njerëzish, të cilët nuk kishin të drejta politike. Pse? Vallë, pse do të hiqte dorë dikush nga kaq shumë gjëra për të marrë kaq pak?
Përgjigjja është që Moisiu e kuptoi se nuk mund të identifikohej dot njëkohësisht me popullin e Perëndisë dhe me egjiptianët. Ai e kuptoi që ose do të ishte një skllav me popullin e tij, ose një kompromisbërës në oborrin e Faraonit. Ai nuk mund të thoshte se ishte një izraelit që besonte në Perëndinë e paraardhësve të tij dhe njëkohësisht të jetonte si egjiptas.
Na thuhet se Moisiu zgjodhi keqtrajtimin dhe turpin për hir të Krishtit (Hebrenjve 11:26) — për hir të Atij që vinte nga fara e Evës dhe nga familja e Abrahamit, i cili do t’i përmbushte të gjitha premtimet e Perëndisë për ta (Zanafilla 3:16; 12:1-3). Llogaria që bëri Moisiu ishte e njëjtë me llogarinë që bëri afërsisht një mijë vjet më pas apostulli Pal, i cili kishte pikërisht llojin e “duhur” të prejardhjes — arsimimin, mprehtësinë dhe trashëgiminë — e megjithatë, ai tha: “Po për më tepër edhe i çmoj të gjitha se janë humbje, për shkak të epërsisë së njohjes së Krishtit Jezus, Zotit tim…” (Filipianëve 3:8).
Moisiu mori një vendim radikal — atë vendim radikal të cilin mund të kenë nevojë që ta marrin disa prej nesh. Ndoshta prejardhja juaj është disi e ngjashme me atë të Moisiut; u rritët duke i pasur të përmbushura të gjitha nevojat materiale dhe me perspektivë të madhe në botë. Megjithatë, pavarësisht se kush jemi dhe pavarësisht se nga kemi ardhur, të gjithë përballemi me çastin e zgjedhjes që bëri Moisiu. A do të jetojmë si miq të botës apo si miq të Perëndisë? Nuk ka shteg të mesëm. A do të jetosh sot sipas standardeve të botës, të qeshësh me shakatë e saj, të përdorësh metodat e saj dhe të përqafosh përparësitë e saj? Apo do të qëndrosh me Jezu Krishtin, të ecësh plotësisht kundër rrymës, të ngresh flamurin e Krishtit dhe të rrëfesh me fjalë dhe me vepra që Ai është Zot? Ndoshta sot është dita kur për herë të parë, ose për herë të parë pas shumë kohësh, ke nevojë që të jetosh “me anë të besimit” dhe ta marrësh atë vendim radikal.
