20 shkurt

Shkurt 2022


Ndërsa Pashka po afron, le ta gjallërojmë mirënjohjen, gëzimin, admirimin dhe mahnitjen tonë me atë që do të thotë për ne ringjallja e Jezusit. Mallkimi i natyrës tonë të rënë është që e dikurshmja që na rrëqethte, bëhet tashmë e zakonshme. Realiteti nuk ka ndryshuar, ne jemi ata që kemi ndryshuar.

Kjo është arsyeja pse Bibla ekziston. Pjetri thotë për dy letrat e tij, se ato janë shkruar për të “mbajtur zgjuar” ose “gjallëruar” duke iu drejtuar “kujtesës”.

Prandaj, le ta mbajmë zgjuar mendjen tonë duke iu drejtuar kujtesës.

Çfarë ka bërë Perëndia kur e ringjalli Jezusin prej së vdekurish? Ja disa përgjigje biblike.

Për shkak të ringjalljes së Jezusit, ne kemi lindur sërish në një shpresë të gjallë.

1 e Pjetrit 1:3: “Qoftë bekuar Perëndia, Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, i cili sipas mëshirës së tij të shumtë na rilindi për një shpresë të gjallë me anë të ngjalljes së Jezu Krishtit prej së vdekurish.”

Për shkak të ringjalljes së Jezusit, Ai ka tani lavdinë për të cilën ne u krijuam. Fati ynë përfundimtar është që ta shohim Atë ashtu siç Ai është.

1 e Pjetrit 1:21: “Të besoni në Perëndinë, që e ngjalli prej së vdekurish dhe i dha lavdi.” 

Gjoni 17:5, 24: “Dhe tani, më përlëvdo, ti o Atë, pranë teje, me lavdinë që unë e kisha pranë teje para se të bëhej bota...O Atë, unë dua që atje ku jam unë, të jenë me mua edhe ata që më ke dhënë, që ta shohin lavdinë time që ti më dhe, sepse ti më deshe para themelimit të botës.”

Vetë Zoti Jezus i ringjallur e rizgjoftë dhe e nxittë mendjen tuaj të sinqertë në thellësi të reja adhurimi, besnikërie dhe gëzimi.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia