20 mars

Mars 2022  


Kur alarmi ra në orën 4:59 të mëngjesit, më erdhi një mendim i rrufeshëm për realitetin e plotë të vdekjes dhe të qëndruarit përpara një Perëndie krejtësisht të shenjtë, duke mos pasur asgjë që të më rekomandonte para Tij, përveç jetës sime.

Këtij tmerri ia kalonte vetëm përballja e rrufeshme me realitetin: Jezu Krishti vdiq pikërisht për këtë moment.

Pastaj, tmerri kaloi.

Ndjesia e menjëhershme ishte: Ky është thelbi i çastit të konvertimit. Kështu zbulojmë se Jezu Krishti është i vërtetë. Kjo është mënyra si një person arrin ta çmojë dashurinë e Krishtit. Papritur, për herë të parë, shohin dhe ndiejnë me sytë e zemrës së tyre, realitetin e pamohueshëm të faktit që u duhet të përballen me Perëndinë me një ndërgjegje që i fajëson.

Ndikimi i atij vizioni është dërrmues. Ai na bën të mësojmë se shpresa jonë e vetme është një Ndërmjetës. Jemi krejt vetëm, nuk kemi asgjë që të na rekomandojë, por vetëm jetën tonë mëkatare, jemi krejtësisht të humbur. Nëse do të kemi ndonjë shpresë për përjetësinë në praninë e këtij Perëndie, do të na duhet një Shpengues, një Zëvendësues, një Shpëtimtar.

Në këtë pikë krize të tmerrshme, asgjë nuk shkëlqen ashtu si ungjilli i Jezu Krishtit—“që më deshi dhe dha veten për mua” (Galatasve 2:20). Në të qindtën e sekondës, para se ai të shfaqej atje, m’u dha mundësia të shihja errësirën dhe tmerrin e dendur të gjykimit—jo një përfundim teologjik, jo thjesht një përfundim racional, jo thjesht një mendim, por një pamje e rrufeshme me syrin e brendshëm plot njohuri, ndjenjë dhe siguri.

Perëndia ynë është një zjarr që konsumon. Ai nuk do ta shohë me sy të ligën. Ne jemi krejtësisht të humbur. Faji im ishte aq i madh, aq real, aq i sigurt në atë të qindtën e sekondës, saqë nuk kisha as edhe një mundësi për të nxjerrë justifikime. Ishte ndjenja e papritur, mbërthyese dhe e pafundme e të qenët krejt i pashpresë.

Në këtë çast, Jezusi është gjithçka që ka rëndësi. O Krisht! O Krisht! A mund ta mbajë zemra ime valën e mirënjohjes?! O Dhuratë e Perëndisë, nevoja ime e vetme dhe më e madhe!


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia