“…në të cilin kemi shpengimin nëpërmjet gjakut të tij, faljen e shkeljeve, sipas pasurisë së hirit të tij, të cilin e bëri të teprojë ndaj nesh…” EFESIANËVE 1:7-8
Hiri i Perëndisë për popullin e Tij nuk njeh kufij dhe nuk qëndron brenda asnjë caku. Për të ditur të vërtetën e kësaj, nuk ka pse të shohin në ndonjë vend tjetër veç kryqit të Krishtit, me anë të të cilit ne “kemi shpengimin nëpërmjet gjakut të tij”.
Te Libri i Eksodit, Perëndia themeloi Pashkën, e cila pikturoi një tablo të lirisë së blerë me një çmim. Ai i udhëzoi izraelitët të flijonin një qengj që ishte “pjesë” e familjes dhe ta përhapnin gjakun e tij mbi shtalkat e portave të tyre, për të parandaluar një vizitë nga engjëlli i vdekjes ndërsa ai kalonte nëpër Egjipt. Banorët e secilës prej atyre familjeve besnike iu shmangën gjykimit të Perëndisë, pra, vdekjes së birit të parëlindur, vetëm sepse në vend të tij ishte therur një qengj (Eksodi 12:3-13).
Izraelitët ishin skllevër të Faraonit. Në mënyrë të ngjashme, të gjithë ne hyjmë në këtë botë si skllevër të mëkatit dhe të vdekjes. Çmimi i faljes sonë ishte vetë gjaku i Krishtit, i cili e përmbushi shpengimin si Qengji i madh i Pashkës për të gjithë ata që mund të besojnë në Të. Është gjaku i Tij që na çliron përjetësisht nga vdekja për në jetë. Krishti nuk erdhi në tokë për të na treguar se si të bëhemi të krishterë. Ai nuk erdhi për të na thënë se ç’duhet të bëjmë për të shpëtuar veten. Ai erdhi për të bërë atë që ne nuk mund ta bëjmë dot — për të na shpëtuar. Ai veproi në emrin tonë, duke na ofruar faljen që për ne është falas, por që Perëndisë i kushtoi shumë. Ne nuk guxojmë të mendojmë se Perëndia thjesht vendosi të anashkalojë mëkatin tonë; përkundrazi, vdekja e Krishtit në kryq përthith gjykimin që ju dhe unë meritojmë. Shenjtëria e Perëndisë kërkon që të paguhet dënimi për mëkatin — dhe Biri i Tij siguroi pagesën.
Teksa mendon për këtë, Pali nxitet të thërrasë: “I bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht…” (Efesianëve 1:3). Marrja parasysh e hirit të Perëndisë duhet të na shtyjë gjithmonë të lavdërojmë. Mirëpo vini re frazën që përdor Pali te vargjet 7-8: “…pasurisë së hirit të tij, të cilin e bëri të teprojë ndaj nesh…” Hiri i Perëndisë është si një rrebesh. Ai është përmbytës. Perëndia e ka derdhur atë mbi secilin prej fëmijëve të Tij, duke mos kursyer asgjë. Dhe Ai do të vazhdojë ta bëjë këtë për gjithë përjetësinë.
Imagjinoni sikur sapo keni mbaruar së ngrëni në një restorant luksoz dhe dikush ju merr faturën duke ju thënë: “Këtë e kam unë — do ta paguaj.” Këtë ju ka thënë Perëndia në shkallën më madhështore që mund të imagjinohet. Ai nuk po thotë se nuk duhet bërë asnjë pagesë. Ai po thotë se tashmë e ka bërë pagesën. Hiri i Perëndisë është përtej çdo kufiri, ai shtrihet më larg sesa mund të shohë syri ose mund të kuptojë zemra. Prandaj, edhe pse kur ktheni kokën pas në ditën ose javën e fundit, do ta dini se jeni mëkatar, ju mund të dini edhe këtë: nuk mund të mëkatoni dot më shumë nga sa mund të falë Perëndia, dhe mund të jeni të sigurt se Ai që filloi një punë të mirë në ne, do ta përfundojë atë në ditën e Jezu Krishtit (Filipianëve 1:6). Ju do të shijoni përjetimin e hirit mbi hir, mbi hir për gjithë përjetësinë.
‘Ish’ veç ky hir që më ka shpëtu’,
E më çon drejt vendit tim.
