21 Maj 2026

“…Me të vërtetë, me të vërtetë po të them: po të mos lindet dikush prej uji dhe Fryme, nuk mund të hyjë në Mbretërinë e Perëndisë.” GJONI 3:5

Kur lexojmë Ungjijtë, zbulojmë se një pjesë e madhe e shërbesës së Jezusit përfshinte predikimin e lajmit të mirë të mbretërisë së Perëndisë. Ai udhëtoi nëpër qytete dhe fshatra duke u thënë njerëzve me pak fjalë: Ka një mbretëri dhe unë jam Mbreti i saj. Ju nuk jeni ende në mbretëri — por nëse do të më ndiqni Mua, do të jeni nënshtetas i Mbretit dhe një qytetar i mbretërisë.

Prandaj, kur lutemi “Ardhtë mbretëria jote” (Luka 11:2), dëshira jonë duhet të jetë që burrat dhe gratë të sillen në mbretërinë e Krishtit përmes lindjes së re — që ata të bëhen ndjekës të përkushtuar të Jezusit. Ne lutemi që ata që jetojnë në rebelim kundër Perëndisë, të çlirohen “prej pushtetit të errësirës dhe [të zhvendosen] në mbretërinë e Birit të dashurisë së tij” (Kolosianëve 1:13). Jezusi e bëri përsosurisht të qartë se kjo lindje e re është e vetmja mënyrë për të hyrë në mbretërinë e Tij.

Takimi i Jezusit me Nikodemin te Gjoni 3 thekson këtë të vërtetë. Nikodemi ishte një njeri fetar, një njeri me autoritet dhe ndikim — e megjithatë, ai ishte ende i shqetësuar, ende në kërkim. Ndërsa ai u përfshi në bisedë, Jezusi i vuri në dukje parakushtin e nevojshëm si për të parë, ashtu edhe për të hyrë në mbretërinë e Tij: se duhej të lindte përsëri nga Fryma. Ai i tha se kjo lindje e re nuk ndodh nga natyra, por është rezultat i Frymës së Perëndisë që bën një mrekulli në zemrën e njeriut. Askush nuk mund të hyjë në mbretëri nëse Fryma nuk punon në të; askush nuk është tepër larg nga mbretëria, saqë Ai të mos punojë dot në të.

Kur lutemi për ardhjen e mbretërisë së Perëndisë, ne kërkojmë që të hapen sytë dhe veshët, që burrat dhe gratë të mund të lindin përsëri. Mbreti po vjen për të sjellë mbretërinë e Tij të përjetshme, dhe Mbreti është duke punuar sot me anë të Frymës së Tij, për t’i sjellë burrat dhe gratë në atë mbretëri. Deri në ditën e kthimit të Mbretit tonë, vetëdija juaj për mënyrën se si hyjnë njerëzit në mbretërinë e Krishtit prodhoftë një mahnitje gjithnjë e më të madhe për kthimin tuaj në besim, si dhe një pasion të zjarrtë për t’u lutur që Fryma të bëjë në zemrat e të humburve atë që vetëm Ai mundet ta bëjë.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 3:1-15