19 Maj 2026

“Në kohën e drekës Boazi i tha: ‘Eja këtu, ha bukë dhe ngjyeje kafshatën tënde në uthull’. Kështu ajo u ul midis korrësve. Boazi i ofroi grurë të pjekur dhe ajo hëngri sa u ngop dhe vuri mënjanë tepricat.” RUTHI 2:14

Ju dhe unë jemi thirrur për të qenë ura që lidhim hendekun mes përvojës së izolimit dhe një jete të pranimit hyjnor.

Për Ruthin, ajo urë ishte Boazi. Në mes të një dite të gjatë pune, Boazi i ftoi punëtorët e tij të shijonin një vakt. Ai, gjithashtu, e mirëpriti Ruthin për të ngrënë mes korrësve të tij. Është e lehtë të të shpëtojë rëndësia e kësaj. Ruthi ishte e panjohur, e huaj dhe grua. Veprimet e Boazit ishin të papritura dhe në kundërshtim me normat kulturore. Ato ishin si veprimet e Krishtit.

Boazi është shembulli i dikujt, veprimet e të cilit ishin ura ndërmjet izolimit dhe pranimit që ofron Perëndia. Si një moabite, Ruthi do të ishte dukur dhe do të kishte vepruar ndryshe nga njerëzit e Bethlehemit. Për më tepër, statusi si vejusha do t’i kishte përjashtuar Ruthin dhe Naomin nga shumë rrethe shoqërore. Mirëpo, duke qenë se dashuria e Perëndisë i kishte mbushur zemrën, Boazi e shpërfilli çdo aluzion paragjykimi që mund të kishte pasur dhe e mirëpriti Ruthin në tryezën e tij.

Boazi u sigurua që Ruthi të ndihej rehat me veprimet e tij, por nuk u mjaftua vetëm me kaq. Jo, ai, gjithashtu, u sigurua që punëtorët e tjerë ta pranonin Ruthin dhe ta trajtonin me dashamirësi, dhe nuk e la të mundohej ndërsa ajo mësonte aftësitë e zanatit të saj të ri (Ruthi 2:15-16). Ai shkoi përtej asaj që pritej për të siguruar dhe për t’u kujdesur për të.

A bëjmë edhe ne të njëjtën gjë për jobesimtarët, për besimtarët e rinj ose për vizitorët në kishat tona? Një i krishterë përkufizohet si marrës i dashurisë besëlidhëse të Perëndisë. Prandaj, një i krishterë duhet të jetë i pari që ta afrojë të dëbuarin — i pari që të thotë: “Këtu je i mirëpritur! Jemi të gëzuar që je mes nesh! Të lutemi, merr pjesë! Do të bashkohesh me mua?”. Ne jemi thirrur të qëndrojmë kundër valës tepër të zakonshme të ekskluzivitetit egoist dhe kundër zakonit po aq të dëmshëm për të kaluar kohë dhe për të mirëpritur vetëm ata që janë si ne.

Ne e gjejmë guximin që kërkohet për të qenë një urë dhe jo një pengesë, atëherë kur shikojmë pranimin tonë nga Perëndia në Krishtin. Përfshirja e Ruthit nga ana e Boazit — pavarësisht nga raca, pozita e saj shoqërore dhe mungesa e përvojës në punë — na drejton te historia e përjetshme e mirëpritjes më të madhe të Perëndisë. Perëndia i shenjtë thirri përtej kufijve mes hebrenjve dhe johebrenjve, skllevërve dhe të lirëve, duke u thënë mëkatarëve: “Kthehuni nga unë dhe do të shpëtoni, ju mbarë skaje të tokës…” (Isaia 45:22). Ne duhet ta kthejmë sërish shikimin tonë drejt kryqit, sepse aty mësojmë se ç’do të thotë të jesh i dashur dhe i mirëpritur nga Perëndia. Vetëm atëherë do të jemi në gjendje për t’i dashur dhe për t’i mirëpritur me të vërtetë të tjerët.

Prandaj, shikoni se si Perëndia, në Krishtin, ju mirëpret në tryezën e Tij, dhe pastaj pyesni veten: “Në ç’mënyrë po më shtyn Fryma e Tij të kapërcej një ndarje? Cilin po më thërret Ai që ta mirëpres në tryezën time?”.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

JAKOBI 2:1-13