“Atëherë, judenjtë iu drejtuan dhe i thanë: ‘Çfarë shenje na tregon
që i bën këto gjëra?’. Jezusi u përgjigj dhe u tha: ‘Shembeni këtë shenjtërore
dhe në tri ditë do ta ngre.’” GJONI 2:18-19
Disa e kuptojnë Biblën si diçka pak më shumë se një përzierje e informacionit filozofik dhe gjërave frymërore. Asgjë nuk mund të jetë më larg nga e vërteta, sepse Bibla përmban dramën e shpalosur të ndërhyrjes së Perëndisë në botën tonë. Tema e mbretërisë së Perëndisë na ofron një mënyrë të dobishme për të hyrë dhe për ta ndjekur fillin e historisë së saj.
Në çdo mbretëri ka një banesë për mbretin.
Gjatë pjesës më të madhe të Besëlidhjes së Vjetër, tabernakulli ishte vendi ku Perëndia banoi me Izraelin. Megjithatë, ndërsa tabernakulli ishte mes popullit të Perëndisë, ai nuk ishte i hapur për ta. As vetë Moisiu nuk mundi të hynte atje kur reja e lavdisë së Perëndisë u vendos mbi të (Eksodi 40:34-35). Pasi Jerusalemi ishte bërë kryeqyteti i vendit, tenda e tabernakullit u zëvendësua me një ndërtesë të përhershme — tempullin. Ja ku ishte Perëndia, Mbreti i popullit të Tij, që banonte në kryeqytetin e popullit të Tij dhe në tokën e tyre. Megjithatë, prapëseprapë, rruga për tek Ai ishte e mbyllur nga perdja që ndante Vendin Shumë të Shenjtë nga pjesa tjetër e kompleksit të tempullit (26:31-34).
Pastaj “Fjala u bë mish” dhe fjalë për fjalë “ngriti tabernakullin mes nesh” (Gjoni 1:14).
Kur lexojmë Besëlidhjen e Re, zbulojmë se ashtu si njerëzit e lashtë shikonin nga tabernakulli për t’u takuar me Perëndinë, tani ne shikojmë te një person — te Vetë Perëndia, i cili banoi në një trup njerëzor dhe jetoi mes nesh. Gjuha e Gjonit komunikon në mënyrë specifike se Perëndia, në Jezusin, banoi fizikisht mes popullit të Tij dhe tani banon në popullin e Tij me anë të Frymës së Tij (Gjoni 14:16-18). Ai është këtu mes nesh. Me fjalë të tjera, Jezusi është tabernakulli i vërtetë.
Kjo ishte ajo që Jezusi po kërkonte të shpjegonte kur, pasi e kishte pastruar tempullin duke përzënë tregtarët dhe këmbyesit e parave që bënin tregti aty, u sfidua për autoritetin e Tij, me të cilin Ai po bënte një gjë kaq të guximshme (Gjoni 2:13-16), dhe Ai u përgjigj: “Shembeni këtë shenjtërore dhe në tri ditë do ta ngre.” Gjoni shpjegon se, pasi Jezusi u kryqëzua, u varros dhe u ngrit prej të vdekurish, dishepujt e Tij e kuptuan se Ai “foli rreth shenjtërores së trupit vet” (v. 21).
Kur Jezusi vdiq, perdja në tempull u shqye, duke nënkuptuar se, nëpërmjet Krishtit, ne tani kemi hyrje të papenguar te Perëndia; por edhe duke treguar se ndërtesës së tempullit i kishte kaluar koha, sepse përmbushja kishte ardhur. Disa dekada më vonë tempulli në Jerusalem do të shkatërrohej përfundimisht.
Nëse duam të takohemi me Perëndinë, duhet të shkojmë te Jezusi. Nuk kemi më nevojë për një ndërtesë specifike apo ikona, apo faltore të veçanta. Perëndia takohet me njerëzit e Tij — kur jemi të mbledhur bashkë dhe kur jemi të shpërndarë — jo në vende të caktuara, por në personin e Birit të Tij, në tempullin e vërtetë. Pavarësisht se ç’ditë është sot dhe pavarësisht se çfarë je duke bërë, nuk ka asgjë dhe asnjeri që mund të të pengojë të kesh një takim të gjallë me Perëndinë e shenjtë. Mbreti banon brenda teje sot.
