19 Korrik 2026

“Prandaj, nëse ka ndonjë zemërdhënie në Krishtin, nëse ka ndonjë ngushëllim dashurie, nëse ka ndonjë përbashkësi të Frymës, nëse ka ndonjë përzemërsi dhe përdëllim, përmbusheni gëzimin tim, që ju të mendoni të njëjtën gjë, duke pasur të njëjtën dashuri, të bashkuar shpirtërisht, duke menduar një qëllim të vetëm.” FILIPIANËVE 2:1-2

Të bëhesh i krishterë është paksa si të martohesh. Në martesë, dy beqarë bashkohen dhe jeta e tyre ndërthuret në mënyrë të pakthyeshme. Po kështu, edhe kur përqafojmë Krishtin me gjithë dashurinë e Tij dhe e pranojmë shpëtimin që Ai fitoi për ne në kryq, ne bashkohemi me Të — dhe nuk jemi më kurrë të njëjtët.

Ashtu siç apostulli Pal ua kujtoi filipianëve, edhe ne sot mund të njohim zemërdhënien që ekziston si rezultat i bashkimit tonë me Zotin Jezu Krisht. Marrëdhënia jonë me Të është një dhuratë e hirit të Perëndisë për ne dhe ne mund të gjejmë siguri duke ditur se nëpërmjet fuqisë së Frymës së Tij, Ai është me ne kudo që shkojmë. Nëse jeni të bashkuar me Krishtin me anë të besimit, Ai është më afër jush sesa jeni ju me duart dhe këmbët tuaja. Jeta juaj është e ndërthurur përgjithmonë me Zotin.

Një nga vështirësitë mbizotëruese të jetës në shekullin e 21-të është se shumë prej nesh ndihen herë pas here të dëshpëruar, pa shoqëri dhe të vetmuar, madje edhe kur janë në mes të një turme. Ne mund të përpiqemi t’i maskojmë ndjenjat tona të izolimit me një bisedë sipërfaqësore ose me petkun e hollë të një buzëqeshjeje, por ka raste kur largohemi nga shoqëria e njerëzve duke u ndier dëshpërimisht të humbur. Megjithatë, në të vërtetë, të krishterët nuk duhet ta ndiejnë atë dëshpërim, sepse ne e njohim dhe e përjetojmë sigu­rinë e bashkimit tonë me Krishtin. Ai na njeh plotësisht dhe na do pafundësisht. Ka ngushëllim të madh kur e di këtë! “Ngushëllimi” për të cilin Pali flet këtu nuk është një ndjenjë e thjeshtë rehatie; fjala përshkruan diçka me fuqi dhe tërheqëse. Kjo është një fjalë veprimi: ngushëllimi rrjedh në marrëdhëniet tona me njëri-tjetrin, sepse Fryma na bashkon jo vetëm me Veten e Tij, por edhe me njëri-tjetrin, madje që në këtë anë të qiellit. Sa më shumë t’i shijojmë përfitimet e bashkimit tonë me Krishtin — më i çmuari prej tyre është Vetë Krishti — aq më shumë do të afrohemi me vëllezërit e motrat tona në besim dhe aq më e thellë do të jetë dashuria jonë ndaj tyre.

Megjithatë, ndërsa një ngushëllim i tillë na bekon, ai, gjithashtu, na ngarkon me një dety­rim. Njohuria jonë për mëshirën dhe dhembshurinë e Krishtit duhet të na shtrëngojë për të treguar dashuri dhe dhembshuri ndaj njëri-tjetrit, ndërsa rritemi në bashkimin tonë me Të. Është e mundur që të ngurtësohemi nga përplasjet dhe mavijosjet e jetës, është e mundur që të na mungojë hiri që shfaqet në butësi, është e mundur që të jemi aq të fiksuar pas vetes, sa të mos i duam të tjerët. Në ç’mënyrë ke nevojë për zemërdhënie apo ngushëllim sot? Reflekto për bashkimin tënd me Krishtin dhe gjeji ato tek Ai. Pastaj kërkoji Frymës që të të tregojë këdo që ka nevojë për zemërdhënie ose ngushëllim sot, dhe bëhu mjeti me anë të të cilit atyre u jepet ngushëllimi i Krishtit.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 15:12-17