20 janar

Janar 2022


Një nga armiqtë e mëdhenj të shpresës është harrimi i premtimeve të Perëndisë. Rikujtimi është një shërbesë e rëndësishme. Pjetri dhe Pali, që të dy thanë se i shkruan letrat e tyre për këtë arsye (2 e Pjetrit 1:13, Romakëve 15:15).

Ndihmësi kryesor për të na rikujtuar atë që kemi nevojë të dimë është Fryma e Shenjtë (Gjoni 14:26). Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se ju duhet të jeni pasivë. Ju jeni vetë përgjegjës për shërbesën tuaj të rikujtimit. Personi i parë të cilit keni nevojë t’ia rikujtoni, jeni ju.

Mendja e ka këtë fuqi të madhe: Ajo mund të mendojë përmes rikujtimit. Mendja mund “të sjellë në mendje,” sikurse thotë edhe teksti: “Këtë dua të sjell në mendje dhe prandaj dua të shpresoj: sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht” (Vajtimet 3:21-22).

Nëse ne nuk “sjellim në mendje” atë që Perëndia ka thënë për veten e Tij dhe për ne, do të lëngojmë. Oh, këtë gjë e kam shijuar vetë nga përjetimet e dhimbshme! Mos u zhgërryej në llucën e mesazheve të paperëndishme në mendjen tënde, mesazhe si: “Nuk mundem...”, “Ajo nuk do të...” “Ata kurrë nuk do të...”, “Nuk ka funksionuar kurrë...”.

Ideja nuk është që këto janë të vërteta apo të rreme. Mendja juaj gjithmonë do të gjejë një mënyrë për t’i bërë të vërteta, nëse nuk “sillni në mendje” diçka më të madhe. Perëndia është Perëndia i të pamundurës. Përpjekja jote për të dalë nga një situatë e pamundur, përmes arsyetimit tënd, nuk është aq e efektshme sa t’i kujtosh vetes që Perëndia bën gjëra të pamundura.

Pa i rikujtuar vetes madhështinë e hirit, fuqisë dhe urtësisë së Perëndisë, ne do të zhytemi në një pesimizëm brutal. “Unë isha pa mend dhe pa kuptim; para teje isha si një kafshë” (Psalmi 73:22).

Kthesa e madhe nga dëshpërimi në shpresë, në Psalmin 77, vjen me fjalët: “Do t’i kujtoj veprat e ZOTIT; po, do të kujtoj mrekullitë e tua të kohëve të kaluara, do të përsias për gjithë veprat e tua dhe do të marr parasysh bëmat e tua” (Psalmi 77:11-12).

Kjo është beteja e madhe për jetën time. Mendoj se është edhe beteja juaj gjithashtu. Beteja për t’i rikujtuar së pari vetes dhe pastaj të tjerëve.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia