dhjetor 20

Dhjetor 2022


Punishtja e satanit nxjerr miliona mëkate çdo ditë. Ai i ngarkon ato në avionë të mëdhenj mallrash, i çon në qiell, i hap para Perëndisë dhe shkrihet së qeshuri.

Disa njerëz punojnë me kohë të plotë në punishten e Satanit, të tjerë e kanë lënë punën atje dhe kthehen rrallë.

Çdo minutë që punohet në punishten e mëkatit, e bën Perëndinë arsyen e të qeshurave të Satanit. Mëkati është puna e Satanit, për shkak se ai e urren dritën, bukurinë, pastërtinë dhe lavdinë e Perëndisë. Asgjë nuk i pëlqen më tepër se çasti kur krijesat nuk i besojnë dhe nuk i binden Krijuesit të tyre.

Prandaj, Krishtlindja është lajm i mirë për njeriun dhe për Perëndinë.

“Kjo fjalë është e besueshme dhe e denjë për t’u pranuar plotësisht, që Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët, ndër të cilët unë jam i pari” (1 e Timoteut 1:15). Ky është lajm i mirë për ne.

“Për këtë është shfaqur Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit” (1 e Gjonit 3:8). Ky është gjithashtu lajm i mirë për Perëndinë.

Krishtlindja është lajm i mirë për Perëndinë, për shkak se Jezusi erdhi të niste një grevë kundër punishtes së satanit. Ai shkoi në mes të fabrikës, i bëri thirrje solidaritetit të besnikëve dhe filloi një braktisje masive nga punishtja.

Krishtlindja është një thirrje për grevë në punishten e mëkatit. Nuk ka negociata me administratën, nuk ka pazarllëqe, thjesht kundërshtim të pathyeshëm ndaj produktit. Nuk do të jemi më pjesë e prodhimit të mëkatit.

Solidariteti i Krishtlindjes ka për qëllim t’i ulë avionët e mallrave. Nuk do të përdorë dhunë apo forcë, por me një përkushtim të paepur ndaj së vërtetës do të demaskojë kushtet jetëshkatërruese të industrisë së djallit.

Solidariteti i Krishtlindjes nuk do të dorëzohet, derisa të arrihet një mbyllje përfundimtare e punishtes.

Kur mëkati të jetë shkatërruar, emri i Perëndisë do të shfajësohet plotësisht. Askush nuk do të qeshë më me Të.

Nëse dëshiron që këtë Krishtlindje t’i japësh një dhuratë Perëndisë, dil nga punishtja e mëkatit dhe mos u kthe më kurrë. Zër vendin tënd në vijën e dashurisë. Bashkoju solidaritetit të Krishtlindjes, derisa emri i madhërishëm i Perëndisë të lartësohet dhe Ai të qëndrojë i lavdishëm mes lavdërimeve të të drejtëve.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia