Jezusi,armiqte

Shtator 2022


Si do të tingëllonin doktrinat e hirit–një term puritan, ky, për mësimin kalvinist të hirit sovran të Perëndisë në shpëtimin tonë (anglisht me akronimin TULIP)–nëse çdo degë e asaj peme do të gjallërohej nga limfa e kënaqësisë agustiniane (domethënë, hedonizmi i krishterë)?

Shthurja totale nuk është thjesht ligësi, por verbëri ndaj bukurisë së Perëndisë dhe pandjeshmëri ndaj gëzimit më të thellë.

Zgjedhja e pakushtëzuar do të thotë që plotësia e gëzimit tonë në Jezusin u planifikua për ne para se të ekzistonim, si derdhja e bollshme e gëzimit të Perëndisë në bashkësinë e Trinitetit.

Shlyerja e kufizuar është siguria që gëzimi i pashkatërrueshëm në Perëndinë është siguruar në mënyrë të pagabueshme për popullin e Tij nga gjaku i besëlidhjes së re.

Hiri i parezistueshëm është përkushtimi dhe fuqia e dashurisë së Perëndisë për të garantuar që ne të mos mbahemi pas kënaqësive vetëvrasëse, dhe për të na çliruar me fuqinë sovrane të kënaqësive më të larta.

Këmbëngulja e shenjtorëve është vepra e plotfuqishme e Perëndisë për të mos na lejuar që të biem pre e skllavërisë përfundimtare të kënaqësive inferiore, por që të na ruajë, përmes çdo mundimi dhe vuajtjeje, për një trashëgimi gëzimi të plotë në praninë e Tij dhe për kënaqësitë e përjetshme në të djathtën e Tij.

Nga këto të pesta, zgjedhja e pakushtëzuar i jep shpirtit tim gjykimin më të ashpër dhe njëkohësisht më të ëmbël. Fakti që është e pakushtëzuar, e shkatërron çdo vetëlartësim (kjo është pjesa e ashpër); dhe fakti që është zgjedhje, më bën mua zotërimin e Tij të çmuar (kjo është pjesa e ëmbël).

Kjo është një nga bukuritë e doktrinave të hirit në Bibël: rrënimet e tyre më të këqija na përgatisin për kënaqësitë e tyre më të mëdha.

Sa moralistë do të bëheshim me fjalët: “ZOTI, Perëndia yt, të ka zgjedhur për të qenë thesari i tij i veçantë midis tërë popujve që ndodhen mbi faqen e dheut” (Ligji i Përtërirë 7:6), nëse kjo zgjedhje do të varej në ndonjë mënyrë nga ne? Por për të na mbrojtur nga krenaria, Zoti na mëson që ne jemi zgjedhur në mënyrë të pakushtëzuar (Ligji i Përtërirë 7:7-9), siç edhe këndojmë me gëzim: “Thesar të bëjë mjeranin.”

Vetëm liria rrënuese dhe natyra e pakushtëzuar e hirit zgjedhës–e pasuar nga të gjitha veprat e tjera të hirit shpëtues–na lejojnë që t’i marrim dhe t’i shijojmë dhurata të tilla për veten tonë pa e lartësuar veten.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia