2 mars

Mars 2022 

 


Kur Pali thotë që t’i vrasim veprat e trupit “me anë të Frymës” (Romakëve 8:13), kuptimi im është që në armatimin që Fryma na jep, ne kemi një armë të vetme, të cilën e përdorim për të vrarë. E kam fjalën për shpatën “që është fjala e Perëndisë” (Efesianëve 6:17).

Prandaj, kur trupi është në rrezik të bëjë një veprim mëkatar ndikuar nga ndonjë frikë apo lakmi, ne duhet të marrim shpatën e Frymës dhe ta vrasim atë frikë dhe lakmi. Në përjetimin tim, kjo do të thotë kryesisht që ta pres rrënjën e premtimit të mëkatit me fuqinë e një premtimi më të lartë.

Për shembull, kur nis të lakmoj ndonjë kënaqësi seksuale të palejuar, vringëllima e shpatës që e ka prerë shpesh rrënjën e kësaj kënaqësie të premtuar nga mëkati është: “Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë” (Mateu 5:8). Kujtoj kënaqësinë që kam shijuar duke parë Perëndinë më qartë nga një ndërgjegje e panjollosur; kujtoj gjithashtu faktin se sa të shkurtra, sa sipërfaqësore janë kënaqësitë e mëkatit bashkë me shijen skllavëruese që ato lënë pas, dhe kështu Perëndia e ka vrarë fuqinë pushtuese të mëkatit.

Çelësi për një luftë të suksesshme kundër mëkatit është t’i kesh në majë të gishtave premtimet e vlefshme për tundimin e momentit.

Gjithsesi ka raste kur nuk kemi një fjalë të përshtatshme nga Perëndia në mendje. Nuk ka kohë që të shfletojmë Biblën për një premtim të posaçëm. Prandaj, të gjithëve na nevojitet të kemi gati një arsenal të vogël premtimesh për t’i përdorur kurdoherë që frika apo lakmia përbëjnë kërcënim për të na çuar në rrugën e gabuar.

Ja cilat janë katër premtimet që kam përdorur më shumë në luftën kundër mëkatit:

Isaia 41:10: “Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime.”

Filipianëve 4:19: “Dhe Perëndia im do të plotësojë të gjitha nevojat tuaja sipas pasurisë së tij në lavdi, në Krishtin Jezus.”

Premtimi i nënkuptuar te Filipianëve 3:8: “Po me të vërtetë i konsideroj të gjitha se janë dëm për madhështinë e njohjes së Krishtit Jezus, Zotit tim.”

Dhe sigurisht, Mateu 5:8: “ Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë.”

Vazhdo të shtosh premtime në arsenalin tënd, por kurrë mos e largo vështrimin nga disa premtime të zgjedhura, të cilat Perëndia i ka bekuar në jetën tënde. Bëji të dyja! Ji gjithnjë gati me premtimet e vjetra dhe çdo mëngjes kërko një premtim të ri për ta mbajtur me vete gjatë ditës.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>