Le të marrin forca të reja popujt.
Isaia 41:1
Të gjitha gjërat mbi tokë duhet të ripërtërihen. Asnjë krijesë nuk mundet të vazhdojë të ekzistojë nga vetja. Siç e shprehu edhe psalmisti: “Ti ripërtërin faqen e dheut” (Psalmi 104:30).
Madje edhe pemët, të cilat as nuk e rëndojnë veten me përkujdesje, dhe as ia shkurtojnë jetën vetes me mundime, duhet të thithin shiun e qiellit dhe të përvetësojnë thesaret e fshehura të dheut. Cedrat e Libanit, të cilët i ka mbjellë Perëndia, gjallojnë vetëm sepse ditë pas dite janë përplot me limfën që sapo është mbledhur nga toka. As jeta e njeriut nuk mund të ekzistojë dot pa ripërtëritje nga Perëndia. Ashtu siç është e domosdoshme që trupi të ripërtërihet me anë të vakteve të rregullta, po kështu duhet ta ripërtërijmë shpirtin tonë duke e ushqyer me Librin e Perëndisë, ose duke e dëgjuar Fjalën të predikohet, ose duke u ulur në tryezën shpirtngopëse të Darkës së Zotit.
Sa poshtë bien virtytet tona kur lihen pas dore mjetet e hirit! Çfarë shpirtrash barkthatë e të ngratë janë ata që jetojnë pa e përdorur zellshëm Fjalën e Perëndisë dhe lutjen vetjake! Nëse përshpirtshmëria jonë mund të gjallojë pa Perëndinë, pa dyshim që nuk vjen prej Tij dhe nuk është veçse një ëndërr, sepse nëse do të kishte lindur nga Perëndia, do ta priste Atë, ashtu si lulet presin vesën.
Pa ripërtëritjen e vazhdueshme, ne nuk jemi gati për sulmet e përhershme të ferrit apo për vuajtjet e rënda të qiellit, apo madje edhe për konfliktet e brendshme. Mjerë pema që nuk ka thithur limfë të freskët dhe që nuk e ka kapur fort shkëmbin me rrënjët e veta të ndërthurura kur të shpërthejë murrlani!
Mjerë detarët që nuk e kanë forcuar direkun, që nuk e kanë hedhur spirancën dhe që nuk kanë kërkuar një liman të sigurt kur të ngrihet stuhia! Nëse e lëmë të mirën të dobësohet, ligësia me siguri do t’i mbledhë forcat dhe do të bëjë ç’është e mundur për të na zotëruar, dhe, si rezultat i kësaj, mund të vijë ndonjë shkretim i dhimbshëm ose çnderim i vajtueshëm! Le t’i afrohemi stolit të këmbëve të mëshirës hyjnore, me përgjërime të përulura, dhe atëherë do të realizojmë përmbushjen e premtimit: “Ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja!” (Isaia 40:31).
© dritez.al 2024