qershor 19

Qershor 2022


Pse Sauli iu bind popullit në vend të Perëndisë? Për shkak se ai kishte frikë nga populli dhe jo nga Perëndia. Ai kishte më tepër frikë nga pasojat njerëzore të bindjes se sa nga pasojat e saj hyjnore. Ai i druhej mospëlqimit të popullit, më tepër se mospëlqimit të Perëndisë dhe kjo është një fyerje e madhe ndaj Perëndisë.

Në fakt, Isaia thotë se është një lloj krenarie të kemi frikë se çfarë mund të na bëjë njeriu, ndërkohë që i shpërfillim premtimet e Perëndisë. Ai citon Perëndinë me këtë pyetje therëse: “Unë, unë vetë jam ai që ju ngushëllon; kush je ti që i trembesh njeriut që vdes dhe birit të njeriut të caktuar të jetë si bari? Ti ke harruar Zotin që të ka bërë, që ka shpalosur qiejt dhe ka hedhur themelet e tokës.” (Isaia 51:12-13).

Frika e njeriut mund të mos duket si krenari, por Perëndia thotë se e tillë është: “Kush mendon se je që të kesh frikë nga njeriu dhe të harrosh Krijuesin tënd?”

Ideja është kjo: nëse ke frikë nga njeriu, ke filluar të mohosh shenjtërinë si dhe vlerën e Perëndisë dhe Birit të Tij, Jezusit. Perëndia është pafundësisht më i fortë se njeriu. Ai është pafundësisht më i urtë dhe pafundësisht më i mbushur me gëzim dhe shpërblim.

Të largohesh prej Tij nga frika e asaj që mund të të bëjë njeriu do të thotë të hedhësh poshtë gjithë sa Perëndia premton të jetë për ata që kanë frikë prej Tij. Kjo është një fyerje e madhe. Perëndia s’mund të gjejë kënaqësi në një fyerje të tillë.

Nga ana tjetër, kur dëgjojmë premtimet e Perëndisë, i besojmë Atij me kurajo dhe i druhemi turpit që mund t’i sjellim Perëndisë përmes mosbesimit tonë, atëherë Ai nderohet me të vërtetë. Në këtë gjë, Ai gjen kënaqësi të madhe.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>