19 mars

Mars 2022


Ja një përmbledhje e ungjillit për të të ndihmuar që ta kuptosh, ta shijosh dhe ta ndash atë!

1) Perëndia na krijoi për lavdinë e tij.

“Bëj që të vijnë bijtë e mi nga larg dhe bijat e mia nga skajet e tokës, tërë ata që quhen me emrin tim, që kam krijuar për lavdinë time” (Isaia 43:6-7). Perëndia na krijoi të gjithëve ne në shëmbëlltyrën e tij që ne të tregonim, ose të pasqyronim, karakterin dhe bukurinë e tij morale.

2) Prandaj, çdo qenie njerëzore duhet të jetojë për lavdinë e Perëndisë.

“Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdinë e Perëndisë” (1 e Korintasve 10:31). Ti jeton për lavdinë e Perëndisë duke e dashur Atë (Mateu 22:37), duke i besuar Atij (Romakëve 4:20), duke qenë mirënjohës ndaj Tij (Psalmi 50:23), duke iu bindur Atij (Mateu 5:16), dhe duke e çmuar atë mbi gjithçka (Filipianëve 3:8; Mateu 10:37). Kur i bëjmë këto gjëra, ne reflektojmë lavdinë e Perëndisë.

3) Megjithatë, ne të gjithë kemi mëkatuar dhe nuk e arrijmë lavdinë e Perëndisë.

“Sepse të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e arrijnë lavdinë e Perëndisë” (Romakëve 3:23). “Megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi... dhe e ndërruan lavdinë e Perëndisë së paprishshëm në një shëmbëllim...” (Romakëve 1:21-23). Asnjëri prej nesh nuk e ka dashur, nuk i ka besuar, nuk e ka falënderuar, nuk i është bindur dhe nuk e ka çmuar Perëndinë ashtu si duhet.

4) Prandaj, ne të gjithë meritojmë ndëshkim të përjetshëm.

“Paga e mëkatit është vdekja (e përjetshme), por dhurata e Perëndisë është jeta e përjetshme nëpërmjet Krishtit Jezus, Zotit tonë” (Romakëve 6:23). Ata që nuk i binden Zotit Jezus “do të ndëshkohen me shkatërrim të përjetshëm, larg nga fytyra e Zotit dhe nga lavdia e forcës së tij” (2 e Thesalonikasve 1:9). “Dhe ata do të shkojnë në mundim të përjetshëm, dhe të drejtët në jetën e përjetshme” (Mateu 25:46).

5) Megjithatë, në mëshirën e Tij të madhe, Perëndia dërgoi në botë Birin e Tij të vetëm Jezu Krishtin që të siguronte për mëkatarët udhën e jetës së përjetshme.

“Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e përjetshme” (Gjoni 3:16). “Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit, sepse u bë mallkim për ne” (Galatasve 3:13). “Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia” (1 e Pjetrit 3:18).

6) Prandaj, jeta e përjetshme është dhuratë falas për të gjithë ata që do t’i besojnë Krishtit si Zot, si Shpëtimtar dhe si Thesarin suprem të jetës së tyre.

“Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh” (Veprat 16:31). “Po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh” (Romakëve 10:9). “Sepse, me anë të hirit jeni të shpëtuar, nëpërmjet besimit; dhe kjo jo prej jush, por është dhurata e Perëndisë, jo prej veprave, që askush të mos mburret” (Efesianëve 2:8-9). “U kryqëzova bashkë me Krishtin; por rroj; jo më unë, po Krishti rron në mua; por ajo që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua” (Galatasve 2:20). “Po me të vërtetë i konsideroj të gjitha se janë dëm për madhështinë e njohjes së Krishtit Jezus, Zotit tim, për shkak të të cilit i humba të gjitha këto dhe i konsideroj se janë pleh, që unë të fitoj Krishtin” (Filipianëve 3:8).


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia