“Atëherë Ruthi u shtri përdhe, duke rënë përmbys me fytyrën përtokë, dhe i tha: ‘ Për çfarë arsyeje kam gjetur kaq hir në sytë e tu, sa ti të kujdesesh për mua që jam një e huaj?’.” RUTHI 2:10
Vetëm një zemër që e di se është e padenjë për hirin, do të mahnitet siç duhet kur ta marrë atë.
Ruthi ishte punëtore e palodhur. Në shumë mënyra, ndërsa mblidhte kallinj pas punëtorëve në arën e Boazit, ajo ilustron nxitjen e mëvonshme të apostullit Pal drejtuar selanikasve: “…ta keni si ambicie që të jetoni qetësisht dhe të merreni me punët tuaja, dhe të punoni me vetë duart tuaja… me qëllim që të ecni me dinjitet ndaj të jashtmëve dhe të
mos keni nevojë për asgjë” (I Selanikasve 4:11-12).
Pavarësisht se ishte e ve në një vend të huaj, me një vjehërr të ve, Ruthi nuk qëndroi duarkryq, duke i ardhur keq për veten dhe duke pritur për ndonjë ndërhyrje dramatike. Përkundrazi, ajo shfrytëzoi mundësinë që i ishte dhënë — të shkonte në fusha për të mbledhur kallinjtë e lënë pas — për të ushqyer veten dhe Naomin. Ajo jo vetëm që mori përgjegjësinë për të siguruar, por, gjithashtu, iu afrua detyrës së saj, e cila ishte e mbushur me orë të gjata dhe pak pushime, me një etikë të fortë pune dhe me këmbëngulje (Ruthi 2:7).
Në të gjitha këto gjëra, Ruthi as nuk këmbënguli që të vihej re dhe as nuk mendonte se e meritonte favorin. Në vend që ta përgëzonte veten për përpjekjet e saj ose të merrte meritën që vendosi të punonte në arën e Boazit, ajo e konsideroi mundin e saj thjesht si detyrë. Prandaj, kur Boazi e favorizoi dhe e bekoi (Ruthi 2:8-9), ajo reagoi me mahnitje dhe mirënjohje. Ajo e dinte se nuk meritonte asgjë prej tij, dhe kështu e pranoi atë si dhuratë.
Përulësia dhe mirënjohja flenë në të njëjtin shtrat. Një zemër mosmirënjohëse shoqërohet me krenarinë, kurse një zemër e përulur do të jetë gjithmonë mirënjohëse.
Favori dhe mbrojtja e Boazit paratregojnë favorin dhe mbrojtjen e përjetshme që na ofron Perëndia nëpërmjet pasardhësit më të madh të Boazit, Jezu Krishtit. Ashtu si Ruthi, edhe ne mund të përulemi teksa shohim jehonat e historisë sonë të përjetshme në historinë e saj. Ndërsa Boazi i ofron Ruthit ujë dhe ushqim (Ruthi 2:9, 14), ne mund të shohim fytyrat e tyre që shndërrohen në fytyrat e një burri dhe të një gruaje tjetër — të Jezusit dhe të një gruaje
te një pus në Samari, ku Biri i Perëndisë i ofroi ujë të përjetshëm që do të shuante etjen e saj frymërore (Gjoni 4:1-45). Atë ditë, Boazi i plotësoi nevojat fizike të Ruthit; Krishti e plotëson përjetësisht çdo nevojë tonën. Ai është Uji i Gjallë dhe Buka e Jetës për të gjithë ne.
“Për çfarë arsyeje kam gjetur kaq hir në sytë e tu, sa ti të kujdesesh për mua që jam një e huaj?” E njëjta pyetje duhet të jetë rregullisht mbi buzët tona: “Zot Jezus, pse kam gjetur hir në sytë e Tu, sa Ti të më duash mua që jam një mëkatar?”. Përgjigjja është e thjeshtë: hiri. Pavarësisht se çfarë mund të bëjmë për familjet tona, kishat tona dhe Zotin tonë, ne jemi favorizuar nga Perëndia vetëm dhe gjithmonë prej hirit të pastër nga ana e Tij. Ju nuk keni asnjë të drejtë tjetër dhe nuk keni nevojë për të tillë. Për shkak të furnizimit të hirshëm të Perëndisë, ju mund të këndoni: “Në Krisht qëndroj, ësht’ shkëmb i tër’, se dheu tjetër ësht’ veç rër’.” Le të këndojë zemra jote sot, e mahnitur nga hiri që ke marrë.
