“Dhe mos u njëtrajtësoni me këtë epokë, por shndërrohuni përmes ripërtëritjes së mendjes, në mënyrë që ju të provoni cili është vullneti i Perëndisë, ai i miri dhe i pëlqyeshmi, dhe i përsosuri.”
ROMAKËVE 12:2
Kullat e kontrollit të aeroportit janë vende magjepsëse. Edhe pse janë dhoma të vogla, ato kanë kapacitet dhe fuqi të jashtëzakonshme. Udhëzimet e dhëna nga këto kulla parandalojnë kaosin dhe garantojnë sigurinë. Nëse diçka shkon keq në to, ndikimi ndihet përtej mureve të tyre dhe shpesh përbën rrezik të madh.
Në mënyrë të ngjashme, ne mund të themi se mendja jonë është kulla e kontrollit të trupit tonë. Ajo që bëjmë me trupin tonë, lidhet drejtpërdrejt me atë që po ndodh në mendjen tonë. Me të, ne kemi aftësinë për të shqyrtuar mundësitë, për të marrë vendime, për të gjykuar ndjenjat tona dhe për t’i dhënë formë dashurisë sonë. Prandaj, nuk është për t’u habitur që Pali thotë se, nëse duam t’i paraqisim “trupat [tanë] si fli të gjallë”, si reagim i duhur ndaj përdëllimeve të Perëndisë që na janë dhënë në Krishtin (Romakëve 12:1), mendja jonë është vendimtare.
Të qenët i krishterë përfshin përqafimin e një mendësie rrënjësisht të ndryshuar që rezul- ton në mendime gjithnjë e më të pastra dhe sjellje të shenjta, të cilat nuk shihen në një jetë pa Krishtin. Siç shkruan Pali më parë te Romakëve: “Se ata që janë sipas mishit, e kanë mendjen te gjërat e mishit; ndërsa ata sipas Frymës, e kanë mendjen te gjërat e Frymës” (Romakëve 8:5). Ky ndryshim në këndvështrim vjen nga fuqia e Frymës së Shenjtë, ndërsa Ai na udhëzon në të vërtetën e fjalës së Perëndisë.
Një ndryshim i tillë është një proces. Çdo ditë, ne po përshtatemi me imazhin e Jezu Krishtit. Mendja jonë — në të vërtetë, e gjithë jeta jonë — po ripërtërihet. Ne nuk jemi ende gjithçka që duhet të jemi dhe as gjithçka që do të jemi — por, gjithashtu, nuk jemi ata që ishim dikur. Kur mendja jonë është nën qeverisjen e Frymës së Perëndisë dhe të fjalës së Perëndisë, gjërat e tjera do të shkojnë pashmangshmërisht ashtu siç synon Ai. Ne e kuptojmë se rruga e Perëndisë është më e mira dhe jemi të kënaqur të ecim në të. Ne mendojmë para se të veprojmë. Ne nuk pranojmë të formohemi nga modelet e kësaj bote, duke mësuar të shohim se ku po na serviret një mendësi që bazohet në një gënjeshtër dhe jo mbi të vërtetën e fjalës së Perëndisë.
Prandaj, kini besim se fuqia e fjalës së Perëndisë do ta ripërtërijë mendjen tuaj dhe kërkojini Frymës që të veprojë në ju. Dallojini mënyrat në të cilat bota po ju thërret të për- shtateni me të dhe trajtojini ato si mundësi për të lejuar që mendja juaj të transformohet nga mençuria hyjnore. Mos e bëni këtë sepse duhet bërë, por sepse është gëzimi juaj, pasi ju e dini se thuhet: “Lum ai njeri që ka gjetur urtësinë dhe njeriu që ka përfituar arsyen. Sepse fitimi i saj është më i mirë se fitimi i argjendit dhe fryti i saj vlen më tepër se ari i kulluar… Rrugët e saj janë rrugë të pëlqyeshme dhe tërë shtigjet e saj janë paqe” (Fjalët e Urta 3:13-14, 17).
