18 Prill 2026

“O ZOT, zemra ime nuk është mendjemadhe dhe sytë e mi nuk janë krenarë, dhe unë nuk merrem me gjëra tepër të mëdha dhe tepër të larta për mua. E kam qetësuar dhe e kam tulatur me të vërtetë shpirtin tim si një fëmijë i zvjerdhur në gjirin e nënës së vet; shpirti im brenda meje është si një foshnjë e zvjerdhur.” PSALMI 131:1-2

Procesi i zvjerdhjes së një fëmije nga nëna e tij ose e saj mund të jetë i dhimbshëm, por është i nevojshëm për një zhvillim dhe pjekuri të shëndetshme. Në kulturën e sotme perëndimore, zvjerdhja ndodh në moshë të vogël, përpara se personaliteti të fillojë të shfaqet vërtet. Atëherë kur u shkrua ky psalm, shkëputja nga gjiri i nënës ndodhte shumë më vonë, rreth moshës trevjeçare.

Prandaj, zvjerdhja mund të ishte një betejë pështjelluese për fëmijën, pasi ai ose ajo mësonte të jetonte pa diçka të cilën e kishte shijuar më parë. Por sapo zvirdhej, fëmija “qetësohej dhe tulatej”; ai tani do të kuptonte se furnizimi do të vazhdonte dhe se tani do të mund ta shijonte kohën me nënën e vet për hir të vetë marrëdhënies me të dhe jo si një mjet drejt një qëllimi. Jo vetëm kaq, por fëmija i zvjerdhur do të kishte mësuar se e ëma e dinte se ç’ishte më e mira për të, edhe atëherë kur nuk po i jepej më një ngushëllim dhe kur vendimi dukej i pakuptueshëm nga këndvështrimi i tij si trevjeçar.

Ashtu si ndodh me një fëmijë të zvjerdhur, është e rëndësishme që edhe ne, si fëmijë frymërorë, të kuptojmë se jo gjithmonë e dimë se ç’është më e mira për ne. Ne mund të besojmë se Ati ynë në qiell e di më së miri. Megjithatë, shumë shpesh, zemrat tona krenare na shtyjnë t’i vëmë në dyshim rrugët misterioze të Perëndisë. Ne kërkojmë të dimë pse po përjetojmë dhimbje, telashe ose humbje, pa e dalluar se pyetjet tona mund të shprehin arrogancë.

Pyetjet janë të pashmangshme; ato janë pjesë përbërëse e udhëtimit. Por kënaqësia e vërtetë gjendet duke mësuar se si t’i kontrollojmë pyetjet tona. Kur je i kënaqur thua: “Edhe atëherë kur nuk arrij të kuptoj, prapë mund të besoj.” Duhet të jemi të kujdesshëm që, në krenarinë tonë, të mos kërkojmë që Poçari të na shpjegojë pse e bëri enën ashtu siç e bëri (Isaia 45:9). Vullneti dhe udhët e përsosura të Perëndisë janë një mister, por ato janë gjithmonë të mira, sepse Ai është Ati ynë.

Me ndihmën e Zotit, ne mund të stërvitemi për t’u përqendruar në provaninë e Tij dhe për t’i kujtuar vetes se rrethanat tona janë të përkohshme, se Ati ynë e di se çfarë po bën në to dhe se ato nuk mund të na e rrëmbejnë gëzimin dhe lavdinë që, përfundimisht, janë tonat në Krishtin. Në këtë të vërtetë mund të prehen shpirtrat tanë.

Në jetën e krishterë, kënaqësia shpesh fitohet përmes një përvoje pështjellimi dhe parehatie, ndërsa mësojmë të themi: “Ati im e ka gjithçka nën kontroll dhe po vepron për të mirën time si fëmija i Tij. Nuk kam nevojë që të kuptoj, sepse unë mund t’i besoj Atij. Unë e kam Atë dhe Ai më mjafton. Shpirti im është i qetë, edhe në mes të kësaj stuhie.” Sa e mrekullueshme është kjo e vërtetë që mund ta shpallim sot!

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

PSALMI 34