17 Prill 2026

“Maria Magdalena erdhi dhe lajmëroi dishepujt: ‘Kam parë Zotin!’…” GJONI 20:18

Çfarë e kthen frikën në besim?

Pas kryqëzimit të Jezusit, dishepujt ishin krejt të rrënuar, të dëshpëruar dhe të strukur së bashku nga frika e përndjekjes. Njëri prej tyre, Juda, tashmë kishte vdekur, pasi kishte vrarë veten. Një tjetër, Pjetri, ishte dorëzuar nën presion dhe e kishte mohuar Jezusin, udhëheqësin dhe mësuesin e tyre, të cilin ata e kishin parë që u vra mizorisht. Me sa duket, shpresat dhe ëndrrat e tyre kishin vdekur bashkë me Të. Megjithatë, vetëm disa javë më vonë, po ai grup i dëshpëruar doli në rrugët e Jerusalemit, duke e shpallur me guxim Jezusin si Mesian e ringjallur. Çfarë i bëri këta dishepuj të kalonin nga frika burracake në besim të guximshëm? Çfarë mund ta sjellë të njëjtin ndryshim edhe te ne? Vetëm Jezusi i ringjallur.

Prejardhja hebraike e dishepujve i bëri ata të besonin se Mesia do të shfaqej dhe do të qëndronte përgjithmonë. Kjo fillimisht bëri që ata të dërrmoheshin nga vdekja e Jezusit, sepse dukej sikur ajo tregonte një humbje të plotë dhe jo një fitore të lavdishme. Ndryshimi i tyre për ta shpallur me besim Jezusin si Mesia pas vdekjes së Tij ka vetëm një shpjegim të mundshëm: ata duhet ta kenë parë Jezusin të ringjallur. Nëse nuk do ta kishin parë, ata thjesht do ta kishin kujtuar me dashuri, ose ndoshta me hidhërim, si mësuesin e tyre të dashur — por asgjë më shumë se kaq. Çfarë faljeje dhe shprese mund të gjendet te një njeri i vdekur? Por me një Mesia të ringjallur, papritur gjithçka ndryshon.

Bibla na tregon, përmes dëshmive të dorës së parë, se dishepujt e takuan Krishtin e ringjallur (shih, për shembull, Gjoni 20:11 – 21:23). Disa argumentojnë se dishepujt patën halucinacione, pra, që e “panë” Atë për shkak të besimit të tyre të madh. Por mbani mend, ata fillimisht nuk besonin në ringjallje! Në fakt, Shkrimi na thotë se ata u strukën pas dyerve të kyçura, të frikësuar dhe të zhgënjyer (20:19). Edhe sikur të kishin imagjinuar një Krisht të ringjallur dhe që mbretëron, ata ndoshta nuk do të kishin imagjinuar një Jezus që gatuante dhe hante peshk në breg të detit, i cili i kishte ende plagët e shkaktuara nga vdekja e Tij brutale dhe i cili ecte në rrugë dhe i takonte në mënyra të shumta. As nuk do ta kishin portretizuar veten si kaq frikacakë dhe as nuk do t’i kishin përfshirë raportimet e grave (dëshmia e të cilave nuk konsiderohej si e vlefshme në atë kulturë). Përkundrazi, ata do ta kishin paraqitur veten si figurat e guximshme dhe të shquara që e zbuluan të parët varrin bosh. Çdo lloj shpjegimi tjetër për varrin bosh kërkon “besim” edhe më të madh se besimi në atë që na është zbuluar në fjalën e Perëndisë.

Ringjallja ndryshon gjithçka. Duhet të marrim parasysh faktet rreth ngritjes së Jezusit nga të vdekurit — por duhet të marrim parasysh edhe lajmin e mirë dhe të lavdishëm që na ofron ajo. Pa ringjalljen trupore të Jezusit, krishterimi nuk ka vlerë; “…i kotë është besimi juaj…” (I Korintasve 15:17). Mirëpo, meqenëse Jezusi vërtet është ringjallur dhe vërtet po mbretëron, atëherë në Të gjejmë faljen që s’mund të gjendet tek askush tjetër dhe në Të kemi një shpresë për të ardhmen që nuk krahasohet me asnjë tjetër. A e ke parë edhe ti, me sytë e besimit, Zotin e ringjallur dhe që mbretëron? Atëherë, ashtu si Maria dhe dishepujt, do ta shohësh frikën tënde të mbushur me dyshime të kthehet në një besim të sigurt, ndërsa ti ia shpall me guxim këtë shpresë zemrës sate dhe kësaj bote të frikësuar.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 20:1-18