17 Maj 2026

“Por ja që Boazi erdhi në Bethlehem dhe u tha korrësve: ‘ZOTI qoftë me ju!’. Ata iu përgjigjën: ‘ZOTI të bekoftë!’.” RUTHI 2:4

Ju mund të mësoni shumë për një person nga përshëndetjet e tij.

Kur Boazi hyri në arën e tij (dhe në Librin e Ruthit) dhe i përshëndeti punëtorët e vet, thellësia e karakterit të tij dhe e marrëdhënies së tij me Perëndinë u dukën qartë.

Boazi jetoi me vetëdijen për praninë e Perëndisë dhe kjo u shfaq në rutinën e tij të përditshme. E njëjta gjë ishte e vërtetë për shumë shenjtorë në të gjithë Besëlidhjen e Vjetër. Ata nuk panë asnjë ndarje mes së shenjtës dhe laikes; përkundrazi, e gjithë jeta duhej të jetohej përpara fytyrës së Perëndisë. Kur ju dhe unë jetojmë me një përkushtim të ngjashëm, përjetojmë transformim dhe bekim rrënjësor si në fjalët, ashtu edhe në marrëdhëniet tona.

Vini re se, kur Boazi u shfaq, ai nuk e përdori emrin e Zotit në mënyrë të shkujdesur ose profane. Ai e përdori qëllimisht dhe me nderim emrin e Perëndisë në përshëndetjen e tij, duke pranuar kështu vendin e autoritetit dhe të intimitetit që kishte Perëndia në jetën e tij. Një nderim i tillë e frenon sipërfaqësinë në të folurin tonë dhe na inkurajon të kërkojmë bekimin e Perëndisë në çdo rrethanë — kur shtrihemi, kur ngrihemi, kur ecim rrugës ose kur bisedojmë me të tjerët (Ligji i Përtërirë 6:7).

Me hyrjen e tij në fushë, Boazi përcaktoi atmosferën për punëtorët e tij duke i bekuar ata. Shembulli i tij duhet të na shtyjë të pyesim veten: “Çfarë toni po vendos në vendin tim të punës, në shtëpinë time, në dyqanin ushqimor, në kishën time?”. Nëse jeta jote karakterizohet nga bekimi dhe pëlqimi i Zotit, pavarësisht nëse je shef apo praktikant, pavarësisht nëse puna jote përfshin llogaritë financiare apo ndërrimin e pelenave të panumërta, ti mund t’i kthesh bekimet me bekim, duke i drejtuar njerëzit sërish tek Ai në gjithçka që bën dhe thua.

Nëse Krishti ka ardhur vërtet në jetën tënde si Zot dhe Shpëtimtar, besimi yt duhet të jehojë në çdo çast. Mos e trajto “kohën me Perëndinë” vetëm si një takim ditor pesëmbëdhjetëminutësh, duke shpresuar se kjo do të të mbështesë në pjesën tjetër të ditës. Nëse ti vetë nuk jeton në praninë e Tij, atëherë nuk do të jesh kurrë në gjendje për t’i sjellë të tjerët në praninë e Perëndisë. Fol për Të në bisedat e tua. Sill në mendje praninë dhe premtimet e Tij në triumfet dhe vështirësitë e vogla të ditës sate. Përpiqu të krijosh një zakon për të biseduar me Të gjatë orëve të ditës. Jeto me vetëdijen për praninë e Perëndisë, dhe kjo do të shfaqet në rutinat dhe reagimet e tua.

Veç në dashurinë Tënde, o Zot,
Përshtatna për prehjen atje lart;
Ndihmona sot e për çdo ditë,
Se më pranë Teje lutemi të jetojmë.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

KOLOSIANËVE 4:2-6