18 janar

Janar 2022


Jakobi është duke folur për krenarinë dhe arrogancën, dhe se si ato shfaqen në mënyra të vështira për t’u dalluar. “Por tani, mburreni në fodullëkun tuaj, çdo mburrje e tillë është e keqe.”

Kur merrni tre kategori tundimi për t’u mbështetur te vetja—urtësinë, fuqinë dhe pasuritë—ato formojnë një shtysë të fuqishme drejt formës përfundimtare të krenarisë; domethënë, ateizmit. Mënyra më e sigurt që të mbetemi supremë në vlerësimin tonë është duke mohuar gjithçka sipër nesh.

Kjo është arsyeja pse njerëzit krenarë janë të zënë me përbuzjen e të tjerëve. C.S. Lewis tha: “Njeriu krenar gjithmonë i përbuz gjërat dhe njerëzit; dhe, sigurisht, që për sa kohë je duke përbuzur, nuk mund ta shohësh dot diçka e cila qëndron sipër teje” (Libri Mere Christianity).

Sidoqoftë, për ta ruajtur krenarinë, mund të jetë më e thjeshtë të shpallësh se nuk ka asgjë sipër për ta parë. “I pabesi, me arrogancën e fytyrës së vet, nuk e kërkon ZOTIN; tërë mendimet e tij janë: ‘Perëndia nuk ekziston’” (Psalmi 10:4). Në fund të fundit, krenarët duhet ta bindin veten e tyre që nuk ka Perëndi.

Një arsye për këtë është që realiteti i Perëndisë është jashtëzakonisht ndërhyrës në të gjitha hollësitë e jetës. Krenaria s’mund ta tolerojë përfshirjen intime të Perëndisë në qeverisjen e gjithësisë, për të mos folur pastaj për gjërat e hollësishme të jetës së zakonshme.

Krenaria nuk e pëlqen sovranitetin e Perëndisë. Për pasojë, krenaria nuk e pëlqen ekzistencën e Perëndisë, për shkak se Ai është sovran. Ajo mund ta shprehë këtë duke thënë: “Nuk ka Perëndi.” Ose mund ta shprehë duke thënë: “Do të shkoj me makinë në Atlanta për Krishtlindje.”

Jakobi thotë: “Mos jini kaq të sigurt.” Në vend të kësaj, duhet të thoni: “Në dashtë Zoti, do të jetojmë dhe do të arrijmë në Atlanta për Krishtlindje.”

Ideja e Jakobit është që Perëndia sundon mbi faktin nëse do të arrish në Atlanta, dhe nëse do të jetosh deri në fund të këtij leximi devocional. Kjo gjë është jashtëzakonisht ofenduese për vetëmjaftueshmërinë e krenarisë—që të mos kesh kontroll as mbi përfundimin e një leximi devocional pa pësuar një goditje në tru!

Jakobi thotë që të mos besuarit në të drejtat sovrane të Perëndisë për të qeverisur hollësitë e të ardhmes tënde është arrogancë.

Mënyra për ta luftuar këtë arrogancë është që t’i dorëzohesh sovranitetit të Perëndisë në të gjitha hollësitë e jetës, dhe të prehesh në premtimet e Tij të sigurta për ta treguar veten të fortë për llogarinë tonë (2 i Kronikave 16:9), për të na ndjekur me mirësi dhe mëshirë çdo ditë (Psalmi 23:6), për të vepruar për ata që kanë shpresë tek Ai (Isaia 64:4), dhe për të na pajisur me gjithçka që na nevojitet për të jetuar për lavdinë e Tij (Hebrenjve 13:21).

E thënë ndryshe, kura për krenarinë është besimi i palëkundur në hirin e ardhshëm dhe sovran të Perëndisë.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia