tetor 17

Tetor 2022


Ka tre nivele për të jetuarin me gjërat materiale: (1) ti mund të vjedhësh për t’i shtënë në dorë; (2) ose mund të punosh për t’i marrë ato; (3) ose mund të punosh për të marrë, në mënyrë që të japësh.

Shumë nga ata që identifikohen si të krishterë, jetojnë në nivelin e dytë. Kundrejt vjedhjes dhe lypjes ne përlëvdojmë punën dhe ndihemi sikur kemi vepruar virtytshëm nëse kemi hequr dorë nga vjedhja dhe lypja duke iu kushtuar punës së ndershme për një pagë të ndershme. Kjo nuk është gjë e keqe. Puna është më e mirë se vjedhja dhe të lypurit. Por kjo nuk është ajo që na kërkon apostulli.

Pothuajse të gjitha forcat e kulturës sonë na nxisin të jetojmë në nivelin e dytë: puno për të marrë. Por Bibla na shtyn me këmbëngulje drejt nivelit tre: puno për të marrë, në mënyrë që të japësh. “Dhe Perëndia mund të bëjë që gjithë hiri të teprojë ndaj jush, që të keni gjithnjë mjaft në çdo gjë dhe t’ju teprojë për çfarëdo vepër të mirë” (2 e Korintasve 9:8).

Pse na bekon Perëndia me bollëk? Që të mund të kemi mjaftueshëm për të jetuar dhe pastaj ta përdorim pjesën tjetër për çfarëdolloj vepre të mirë që lehtëson mjerimin fizik dhe frymëror–vuajtjen e përkohshme dhe atë të përjetshme. Atë që mjafton për ne; bollëkun për të tjerët.

Çështja nuk është sa shumë fiton dikush. Bizneset e mëdha dhe rrogat e larta janë realitet i kohës sonë, dhe nuk janë doemos të liga. Ligësia është kur mashtrohesh të mendosh se një rrogë e lartë duhet të shoqërohet nga një stil luksoz i jetës.

Perëndia na ka krijuar që të jemi përcjellës të hirit të Tij. Rreziku është kur mendojmë se përcjellësi duhet të jetë i larë në flori. Në fakt, nuk ka pse të jetë ashtu. Edhe bakri e bën punën. Bakri mund të përcjellë pasuri të pabesueshme tek të tjerët. Ne shijojmë bekimin më të madh në vetë procesin e dhënies  (Veprat 20:35).


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia