“Atëherë, kur mori verën e thartë, Jezusi tha: ‘Është kryer!’; dhe duke ulur kokën, dorëzoi frymën.” GJONI 19:30
Ngjarjet që shoqëruan vdekjen e Jezusit ishin kryesisht lëvizje rutinë të juridiksionit romak. Gjyqet, rrahjet, procesioni poshtërues dhe kryqëzimi i dhimbshëm ishin të gjitha pjesë e rutinës së zakonishme për ushtarët e përfshirë në ekzekutimin e kriminelëve. Megjithatë, errësira që e mbuloi gjithë ngjarjen në mes të ditës nuk ishte rutinë (Mateu 27:45), sikur Perëndia t’i kishte mbyllur sytë për të mos e parë këtë skenë të trishtueshme. Ky ishte njëherazi një ekzekutim rutinë dhe pika më e madhe e kthesës në gjithë përjetësinë.
Ajo që e bëri atë kaq të rëndësishëm, ishte identiteti i burrit të varur në kryqin e mesit: askush tjetër përveç Perëndisë të mishëruar. Mendjet tona nuk duhet të reshtin së mahnituri nga kjo:
Të drejtë kishte dielli që u fsheh,
Me errësirë e mbuloi lavdinë,
Kur Krishti, Krijuesi i Pushtetshëm, vdiq
Për mëkatin e krijesës së Tij.
Shkrimi nuk i thekson shumë vuajtjet fizike të Krishtit në kryq. Sigurisht që Ai vuajti dhimbje të rënda fizike, por “vuajtjet e trupit të tij nuk ishin asgjë në krahasim me vuajtjet e shpirtit të tij; këto ishin shpirti i vuajtjeve të tij”. Jezusi e përjetoi plotësisht të gjithë dhimbjen dhe agoninë e shkëputjes nga marrëdhënia me Perëndinë Atë — fizikisht, mendërisht dhe frymërisht. Pavarësisht se me çfarë mund të jesh duke u përballur në jetën tënde, dije se Jezusi ka kaluar edhe më keq dhe prandaj e kupton se si ndihesh. Jo vetëm kaq, por ankthi i paimagjinueshëm që Ai duroi, ishte për ty. Vetëm kur erdhi koha e duhur, Krishti shpalli triumfalisht: “U krye” — tetelestai: borxhi u pagua dhe u shlye.
Kryqëzimi i Krishtit shpesh portretizohet me kryqin e Tij të ngritur lart mbi turmën që shikon. Megjithatë, në realitet, sapo kryqi u ul në vendin e vet, ka të ngjarë që këmbët e Tij të ishin shumë afër tokës. Po kështu, jeta, vdekja dhe ringjallja e Krishtit nuk qëndrojnë lart mbi jetën tonë, por shumë afër saj. Jo, vdekja e Jezusit nuk ishte një vdekje e zakonshme, përkundrazi, ajo ishte një vdekje që premton të japë, nëpërmjet besimit, jetën e vërtetë. Gjithçka ndryshon kur marrim parasysh tërë ato që ndodhën në atë kryq dhe themi me vete:
Për mua u plagos, për mua u plagos,
Atje në kryq për mua u plagos Ai;
Shkeljet m’u fshinë, tani jam i lirë,
Vetëm se Jezusi u plagos në vendin tim.
