16 Korrik 2026

“Dhe [Jezusi] u tha atyre: ‘Ejani mbas meje dhe do t’ju bëj peshkatarë njerëzish’.
Dhe ata menjëherë lanë rrjetat dhe e ndoqën.”
MATEU 4:19-20

A keni qenë ndonjëherë diku — ndoshta në një restorant, në zyrën e një mjeku ose në një dyqan materialesh — dhe ta keni pyetur një nga punonjësit pse e bën atë që bën? Ndoshta po përpiqet të sigurojë për familjen. Ndoshta ka pasur një interes të madh për këtë fushë që kur ishte i ri. Mes një sëre përgjigjesh, me raste do ta dëgjoni dikë të thotë: “Kjo është thirrja ime.” Në një kuptim shumë real, ato shprehin me saktësi këndvështrimin e Besëlidhjes së Re për shërbesën.

Të gjithë ata që janë në Krishtin, janë thirrur në një jetë shërbimi. Nuk është se të gjithë jemi thirrur te Krishti, por vetëm disa vazhdojnë të shërbejnë; shërbimi është pjesë integrale e dishepullimit të krishterë. Kur Jezusi i thirri dishepujt e Tij që të bëheshin “peshkatarë njerëzish”, Ai u tha atyre: Unë kam një punë të cilën dua që ta bëni. Dua që ju të përfshiheni në shërbesën Time.

Pavarësisht nëse një i krishterë është thirrur për të shërbyer si predikues ose si mësues i fjalës së Perëndisë, si udhëheqës i studimit të Biblës për të rinjtë, si vullnetar në çerdhen e kishës, si dëshmitar në fabrikën ose zyrën e tij, si prind që rrit fëmijët në shtëpi, si fëmijë që kujdeset për një prind të moshuar ose në ndonjë rol tjetër, thirrja e Perëndisë për të shërbyer vlen njëlloj. Çdo dallim mes “shërbëtorëve me kohë të plotë” dhe “shërbëtorëve pa ofiq” nuk është një dallim në vlerë, por vetëm në funksion. Ajo që ka më shumë rëndësi, është vetë shërbimi.

Në termat e Biblës, shërbimi nuk është një rrugë drejt madhështisë; shërbimi është madhë­shti. “Sepse edhe Biri i Njeriut nuk erdhi për të qenë i shërbyer, po për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e vet si shpërblesë në vend të shumë vetave” (Marku 10:45). Ne nuk shërbejmë duke sakrifikuar me shpresën se do të “ngrihemi në detyrë”, si në vendin e punës, apo në qarqet akademike, as nuk shërbejmë që një ditë të mos shërbejmë më. Jezusi thotë: “…Nëse dikush dëshiron që të jetë i parë, duhet të jetë i fundit i të gjithëve dhe shërbëtor i të gjithëve” (9:35). Kur veprimet tona të tregojnë se e kuptojmë këtë paradoks, e gjithë lavdia do t’i shkojë Perëndisë.

Në fund të fundit, shërbimi i krishterë nuk është asgjë më pak se shërbesa e Zotit Jezus të ringjallur mes popullit të Tij dhe nëpërmjet tij. Apostulli Pal e kuptoi qartë këtë kur shkroi: “…dhe nuk jetoj më unë, por jeton Krishti në mua; dhe atë që e jetoj tani në mish, e jetoj në besimin në Birin e Perëndisë, në atë që më deshi dhe e dorëzoi vetveten për mua” (Galatasve 2:20). Jezusi e dha jetën e Tij për ne, në mënyrë që Ai të mund të merrte tonën dhe të jetonte jetën e Tij nëpërmjet nesh. Nëse e kupton këtë, do të jesh vërtet në gjendje për të shërbyer ashtu siç shërbeu Jezusi — dhe jeta jote do të ketë shumë më tepër vlerë, sesa po ta kishe përdorur për t’i shërbyer vetes. Sot, le t’i kushtohemi përmbushjes së thirrjes sonë.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 15:12-17