tetor 16

Tetor 2022


Perëndia është pafundësisht xheloz për nderin e emrit të Tij dhe reagon me një zemërim të tmerrshëm kundër të gjithë atyre, zemrat e të cilëve duhet t’i përkasin Atij, por që ndjekin gjëra të tjera, ashtu si një bashkëshorte që vrapon pas një të dashuri tjetër.

Për shembull, tek Ezekieli 16:38-40, Zoti i thotë Izraelit të pabesë:

“Do të të gjykoj si gjykohen gratë që shkelin kurorën dhe ato që derdhin gjakun dhe do të sjell mbi ty gjakun e tërbimit dhe të xhelozisë. Do të të jap pastaj në duart e tyre dhe ata do të shembin kamaren tënde... Do të të zhveshin gjithashtu nga rrobat e tua, do të marrin xhevahiret e tua të mrekullueshme dhe do të të lënë lakuriq dhe të zbuluar. Pastaj do të bëjnë të dalë kundër teje një turmë e madhe dhe do të të vrasin me gurë dhe do të të shpojnë me shpatat e tyre.”

Ju përgjërohem që ta dëgjoni këtë paralajmërim. Xhelozia e Perëndisë për dashurinë dhe përkushtimin tënd të pandarë do të ketë gjithmonë fjalën e fundit. Çfarëdo që i josh dëshirat e tua larg Perëndisë me një tërheqje mashtruese, do të kthehet për të të lënë lakuriq dhe copë e thërrime.

Është e tmerrshme ta përdorësh jetën që të ka dhënë Perëndia për të kryer kurorëshkelje kundër të Gjithëpushtetshmit.

Por ju që jeni bashkuar me të vërtetë me Krishtin dhe që i mbani betimet tuaja për t’i braktisur gjithë të tjerët, për t’u kapur vetëm pas Tij dhe për të jetuar për nderin e Tij–për ju xhelozia e Perëndisë është ngushëllim dhe shpresë e madhe.

Meqë Perëndia është pafundësisht xheloz për nderin e emrit të Tij, çdo gjë dhe kushdo që e kërcënon të mirën e bashkëshortes së tij besnike do të kundërshtohet nga gjithëfuqia hyjnore. Ky është lajm i mirë për bashkëshorten besnike–për popullin besnik të Perëndisë.

Xhelozia e Perëndisë është kërcënim i madh për ata që sillen si grua e përdalë, që ia shesin zemrën e tyre botës dhe e trajtojnë Perëndinë si brinar (Jakobi 4:3-4). Por xhelozia e Tij është ngushëllim i madh për ata që i ruajnë betimet e tyre të besëlidhjes dhe bëhen të huaj e mërgimtarë në botë.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia