“Prandaj po ju bëj thirrje, vëllezër, nëpërmjet përdëllimeve të Perëndisë, që t’i paraqisni trupat tuaj si fli të gjallë, të shenjtë, të pëlqyeshme për Perëndinë, që është shërbesa juaj e arsyeshme.”
ROMAKËVE 12:1
Kur William Booth-in, themeluesin e Ushtrisë së Shpëtimit, e pyetën që të shpjegonte ndikimin e jetës së tij, ai u përgjigj me një frazë të qëlluar: “I jam dorëzuar plotësisht Jezu Krishtit.”
Në atë përgjigje nuk kishte asnjë thërrime mendjemadhësi ose krenari. Kjo ishte thjesht mënyra e vetme në të cilën Booth-i mund të shpjegonte se si ai, një njeri i zakonshëm dhe i varfër, ishte përdorur në një mënyrë kaq të jashtëzakonshme dhe kishte pasur një ndikim kaq të madh në atë pikë të veçantë të historisë.
Çfarë do të thotë t’i jesh dorëzuar plotësisht Jezu Krishtit?
Në fillim të Romakëve 12, pas njëmbëdhjetë kapitujve të lavdishëm që kremtojnë shpëtimin nga mëkati, gjë që Perëndia e përmbushi në kryq, dhe mëshirën e Tij sovrane në zgjedhjen e një populli për Veten e Tij, Pali u bën thirrje atyre që po i besojnë Krishtit, që t’i përkushtohen njëqind për qind — me trup, mendje dhe frymë — Zotit Jezu Krisht. Fjala që ai përdor për “e arsyeshme” këtu, vjen nga fjala greke logikos, nga e cila vjen fjala jonë “logjike”. Me fjalë të tjera, nxitja e tij nuk bazohet mbi ndonjë emocion ose manipu- lim. Përkundrazi, Pali po bën një përgjërim racional dhe urgjent ndaj lexuesve të tij, dhe të gjithë këtë e bazon mbi fuqinë e mëshirës së Perëndisë.
Nuk ka asnjë dimension të natyrës sonë njerëzore që të mos jetë ndikuar nga rebelimi ynë i vullnetshëm ndaj Perëndisë. Megjithatë, në mëshirën e Tij, Perëndia nuk ia llogarit mëkatet popullit të Tij dhe Ai nuk na ka dhënë dënimin që meritojmë. Përkundrazi, Ai i ka marrë mëkatet tona dhe ia ka llogaritur ato Birit të Tij të vetëm dhe të dashur.
Nëse e shpërfillim pjesën “nëpërmjet përdëllimeve të Perëndisë” në këtë thirrje, ne gaboj- më menjëherë. Kjo është një thirrje për njerëzit që e kanë marrë hirin aftësues të Perëndisë, për të ofruar jetën e tyre — jo që të mund të pranohen, por për shkak të faktit që tashmë janë pranuar. Ky përgjërim është për ne që tashmë jemi liruar me anë të hirit, që të bëhemi gjithçka që Perëndia synon që të jemi, tërësisht të përkushtuar ndaj Tij.
Perëndia nuk po na kërkon të ofrojmë paratë ose pasuritë tona. Ai nuk dëshiron që ne të ofrojmë diçka më pak se këto, por më shumë: veten tonë. Gjithçka që jemi, gjithçka që mendojmë, gjithçka që ndiejmë, gjithçka që bëjmë dhe gjithçka që dimë — t’ia ofrojmë të gjitha këto Perëndisë që ka dhënë Birin e Tij për ne. Ky është i vetmi reagim i logjikshëm ndaj mëshirës së Tij. Kur ia japim të gjithë veten Perëndisë, të gjitha aftësitë tona, sado të kufizuara që të jenë, ato mund të përdoren për lavdinë dhe qëllimet e Tij. Jeta e krishterë nuk vjen me ndonjë alternativë për masa gjysmake ose për rezervime. Kjo është një jetë që kërkon gjithçka.
Ka diçka të lavdishme në atë lloj përkushtimi që thotë: “Po jap gjithçka që kam.” Nëse do të dorëzoheni plotësisht, atëherë nuk ka kufi për atë që do të ndodhë brenda dhe përmes jush. A do të jeni ju ai lloj personi që mund të thotë: “I jam dorëzuar plotësisht Jezu Krishtit”?
