Kush ishte Shën Bonifaci?

Gusht 2026


Pastori Kevin DeYoung zhytet në historinë e kishës dhe shqyrton jetën e Shën Bonifacit, si dhe veprën e tij ungjillëzuese ndër gjermanët.

Njeriu që ne e njohim si Shën Bonifaci, apostulli i gjermanëve, lindi në Wessex, Angli, rreth vitit 680 pas Krishtit. Në një moshë të hershme, Wynfrith-i (emri i tij i lindjes) iu bashkua një manastiri në Nursling. Ai ishte një student i shkëlqyer dhe dëshironte të bëhej një “shtegtar për Krishtin”. Në vitin 716, kur ishte pothuajse 40 vjeç, me një zell misionar për të arritur të humburit, Wynfrith-i u nis me anije drejt Frisias (Frisia), rajonit bregdetar përgjatë Detit të Veriut që sot përfshin pjesë të Holandës dhe Gjermanisë. Fatkeqësisht, kur mbërriti, frisianët ishin në revoltë kundër sundimit frank, gjë që e pengoi misionarin e ardhshëm të ngrinte shërbesën e tij dhe e detyroi të kthehej në atdhe.

Dy vjet më vonë, Wynfrith-i bëri një tjetër përpjekje për t’u vendosur ndër frisianët. Këtë herë ai arriti të merrte një letër rekomandimi nga peshkopi i tij (njëkohësisht mentor dhe mik), Danieli i Winchester-it, në mënyrë që të mund të udhëtonte drejt Romës dhe të kërkonte një audiencë me papën. Duket se nga kjo vizitë e parë nuk doli ndonjë gjë konkrete, por në maj të vitit 719 Wynfrith-i mori një mandat zyrtar nga Papa Gregory II për të ungjillëzuar paganët. Pikërisht në këtë kohë, Wynfrith-i mori edhe emrin e tij të ri: Bonifaci.

Nga viti 719 deri në vitin 722, Bonifaci punoi ndër frisianët së bashku me misionarin anglosakson Willibrord-in. Willibrord-i dëshironte që murgu anglez të qëndronte si peshkop bashkëpunëtor, por Bonifaci kishte plane të tjera. Në vitin 722, Bonifaci u shugurua peshkop nga Papa Gregori II dhe mori një mandat të gjerë, për të predikuar ungjillin te popujt në lindje të lumit Rajn (Rhine). Në vitin 723, Bonifaci vizitoi oborrin frank dhe u vu nën mbrojtjen e sundimtarit frank, Charles Martel-it (“Çekani”). Pasi siguroi mbrojtjen e Charles-it dhe me një sërë letrash zyrtare drejtuar prijësve lokalë nga papa, Bonifaci u nis drejt tokave të Turingisë (Thuringia) dhe Hesës (Hesse) në Gjermaninë Qendrore dhe Lindore. Kjo do të ishte fusha e tij e misionit për pesëmbëdhjetë vitet e ardhshme.

Në rrjedhën e jetës së tij të gjatë, ndërsa shërbente në mbarë mbretërinë franke, shërbesa e Bonifacit ishte e shumanshme. Edhe pse ai shpresonte të ungjillëzonte të gjitha shtresat e paganëve, pjesa më e madhe e punës së tij ishte institucionale, politike dhe pastorale. Ai këmbente letra me udhëheqës të krishterë, menaxhonte mosmarrëveshje (disa të shkaktuara nga vetë ai), kujdesej për ata që tashmë ishin kthyer në besim, dhe ndihmoi në themelimin e shumë manastireve (më i famshmi, manastiri i Fuldës [Fulda], i themeluar nga dishepulli i tij, Shën Sturm-i, në vitin 744). Nga Letrat e Shën Bonifacit dhe nga Jeta e Shën Bonifacit e shkruar nga Willibald-i (rreth vitit 768), na krijohet portreti i një njeriu plot zell, plot veprim dhe shpesh plot zhgënjime. Ai shqetësohej vazhdimisht nga standardet e ulëta të krishtera midis frankëve, ndërkohë që e kuptonte se nuk kishte shpresë për një shërbesë të suksesshme pa mbështetjen dhe mbrojtjen politike të oborrit frank. Bonifaci e kaloi shumicën e dekadave të tij në Gjermani, duke predikuar, duke pagëzuar dhe duke bërë punën e ngadaltë të mësimit të popullit drejt një forme më rigoroze dhe më ortodokse të krishterimit.

Në vitin 753, Bonifaci, tashmë në të 70-at e tij, u nis edhe një herë drejt rajonit bregdetar të Frisias. Gjatë gjithë vjeshtës, dimrit dhe deri në pranverën pasuese, Bonifaci dhe ndjekësit e tij punuan me zell për të kthyer në besim dhe për të pagëzuar frisianët. Më 5 qershor 754, ndërsa grupi kishte ngritur kampin në bregdetin e Frisias — shumë larg mbrojtjes së pushtetit mbretëror frank — Bonifaci dhe njerëzit e tij u sulmuan nga grabitës që vinin nga deti. Pa dyshim, këta ishin nga ata endacakë që shpesh i shënjestronin murgjit dhe misionarët si pre të lehta, të mbushur me plaçkë dhe të armatosur pak. Pavarësisht nga përpjekjet e Bonifacit për të mbrojtur grupin duke përdorur si mburojë një dorëshkrim të madh, peshkopi i moshuar (që në atë kohë ishte kryepeshkopi i Mainz-it) dhe shokët e tij u vranë mizorisht. Trupi i tij u transportua nga murgjit në manastirin e Fuldës, ku edhe u varros. Libri i dëmtuar që Bonifaci e përdori si mburojë (i njohur sot si Codex Ragyndrudis [Kodiku i Ragyndrudis-it]) u soll gjithashtu atje. Bonifaci u shpall martir dhe kujtimi i tij si apostulli i Gjermanisë u çmua në mbarë botën e krishterë.

Prerja e Lisit të Thor-it
Nëse Bonifaci njihet sot, kjo është kryesisht për një ngjarje në fillimet e shërbesës së tij (në vitin 723 ose 724), kur ai preu një pemë të shenjtë përpara paganëve të Hesës. Për disa, Bonifaci që ngrinte sëpatën kundër Lisit të Thor-it është shembulli që duhet të ndjekim kur përballemi me armiqtë e Krishtit në ditët tona dhe shembulli se si duhet të shkatërrojmë me guxim fortesat kulturore përreth nesh. Meqë kjo ngjarje e vetme në jetën e Bonifacit është kthyer në një lloj “memeje” — e mbushur me pemë, sëpata, makina copëtuese druri dhe objekte të ngjashme — ia vlen ta shqyrtojmë këtë çast dramatik më nga afër.

Ja e gjithë historia, siç e rrëfen Willibald-i në biografinë e tij:

Pasi Bonifaci, përmes rrugëve të gjata dhe të ndërlikuara [pra, klandestine], kishte vizituar territoret e popujve të mëdhenj, ai erdhi te princi i sipërpërmendur i frankëve dhe u prit prej tij me nderim. Ai i dorëzoi Dukës Charles letrat e peshkopit romak të përmendur më sipër e të selisë apostolike, dhe, duke iu nënshtruar zotërimit dhe mbrojtjes së tij, u kthye, me pëlqimin e Dukës Charles, në tokën e hesianëve, ku kishte qëndruar më parë.

Në atë kohë, shumë nga hesianët, të sjellë nën besimin katolik dhe të fuqizuar shtatëfish nga hiri i Frymës, morën vënien e duarve; të tjerë, ende të pafuqizuar në shpirt, refuzuan t’i pranonin plotësisht mësimet e besimit të paprekshëm. Për më tepër, disa kishin zakon, fshehurazi ose haptazi, t’u ofronin flijime pemëve dhe burimeve; disa në fshehtësi, të tjerë haptazi, praktikonin shqyrtimin e flijimeve dhe fallin, mashtrimet dhe magjinë; disa u kushtonin vëmendje ogureve dhe shenjave paralajmëruese, si dhe riteve të ndryshme sakrifikuese; ndërsa të tjerë, me mendje më të shëndoshë, i braktisën të gjitha këto përdhosje të paganizmit dhe nuk kryenin asnjë prej tyre.

Me këshillën dhe udhëzimin e këtyre të fundit, në vendin e quajtur Gaesmere [ose Geismar], shenjti u përpoq, ndërsa pranë tij qëndronin shërbëtorët e Perëndisë, të rrëzonte një lis të një madhësie të jashtëzakonshme, i cili quhej, sipas një emri të lashtë pagan, Lisi i Jupiterit (përkthimi latin i Thor-it). Dhe kur forca e zemrës së tij të palëkundur kishte shkaktuar një çarje në pjesën e poshtme të lisit, aty ishte një turmë e madhe paganësh, të cilët në zemrat e tyre po e mallkonin me zjarr armikun e perëndive të tyre. Por kur ana e përparme e pemës ishte prerë vetëm pak, papritur trungu i madh i lisit, shtyrë nga një frymë hyjnore nga lart, u rrëzua përtokë, duke copëtuar kurorën e degëve teksa binte; dhe, si me një ndërhyrje të hirshme nga Shumë i Larti, ai u nda në katër pjesë, dhe u panë katër trungje me përmasa të mëdha dhe me gjatësi të barabarta, pa u prekur fare nga vëllezërit që qëndronin aty pranë.

Nga kjo pamje, paganët që më parë mallkonin, tani, përkundrazi, besuan, bekuan Zotin, dhe hoqën dorë nga shkeljet e tyre të mëparshme. Pastaj, peshkopi shumë i shenjtë, pasi u këshillua me vëllezërit, ndërtoi nga druri i pemës një kapelë prej druri (pra, një kishëz) dhe ia kushtoi atë apostullit Shën Pjetër.

Pa dyshim që kjo është një histori dramatike dhe ne duhet të frymëzohemi nga guximi i Bonifacit. Por, përpara se të nxjerrim përfundimin se përballja maksimale është gjithmonë zgjedhja më e mirë për angazhimin kulturor në Perëndimin postkristian, duhet të marrim parasysh dy faktorë të rëndësishëm që shpesh anashkalohen në këtë histori dhe nënvlerësohen në shërbesën më të gjerë të Bonifacit.

Jo i vetëm
Faktori i parë që nuk duhet ta anashkalojmë është se Bonifaci nuk e ndërmori këtë akt përballjeje kulturore i vetëm. Ndonjëherë historia tregohet sikur Bonifaci u hodh me guxim në Pyllin Teutonik (Teutonic Forest), gati për t’u përballur drejtpërdrejt me paganët dhe për të prerë pemët e tyre të shenjta. Por vini re se, sipas Willibald-it, Bonifaci ishte i rrethuar nga shumë të krishterë. Disa prej tyre ishin të dobët dhe disa të tjerë ishin sinkretistë. Por disa ishin me “mendje më të shëndoshë” dhe “i braktisën të gjitha këto përdhosje të paganizmit”. Pas këshillimit me këta të krishterë të qëndrueshëm, Bonifaci vendosi të rrëzonte Lisin e Thor-it. Veprimi i Bonifacit ishte i guximshëm, por jo i pamenduar. Ai kërkoi këshillën e të tjerëve dhe duhet të ketë arritur në përfundimin se kishte një mundësi të arsyeshme që guximi i tij do të bënte më shumë sesa thjesht t'i zemëronte paganët.

Në të njëjtën mënyrë, ne duhet të vërejmë se Bonifaci u hodh në veprim midis hesianëve vetëm pasi kishte siguruar mbrojtjen e Charles Martel-it. Është e vërtetë që ndoshta nuk kishte oficerë të oborrit frank në vendngjarje, për t’u siguruar që Bonifaci të largohej i padëmtuar nga Geismar-i. Duke prerë simbolin e tyre pagan, Bonifaci po ndërmerrte një rrezik. Por mbrojtja e oborrit frank ishte një aspekt jetik i punës së tij misionare. Letërkëmbimi i tij me zyrtarë të ndryshëm laikë dhe kishtarë e dëshmojnë këtë. Në një letër drejtuar peshkop Danielit nga vitet 740, Bonifaci pranon: “Pa mbështetjen e princit frank, unë nuk mund të qeveris anëtarët e Kishës, as të mbroj priftërinjtë, klerikët, murgjit dhe shërbëtoret e Perëndisë; dhe as nuk mund të ndaloj ritet pagane dhe adhurimin blasfemues të idhujve në Gjermani, pa urdhrat e tij dhe frikën që ngjall ai.” Bonifaci kishte nevojë për Charles-in dhe për zyrtarë të tjerë frankë vendas për të mbrojtur shërbesën e tij, që ajo të kishte sukses.

Megjithëse Bonifaci shpesh zhgënjehej nga mungesa e integritetit dhe sinqeritetit të krishterë që shihte te sundimtarët frankë, ai, gjithashtu, e dinte se varej prej mbështetjes së tyre ligjore, politike dhe ushtarake. Bonifaci mundi ta priste lisin në Geismar, sepse, me shumë gjasa, paganët e zjarrtë nuk përbënin shumicën në atë zonë dhe për shkak se ai kishte mbështetjen e papës në Romë dhe mbrojtjen e elitave sunduese në rajon.

Dhe sigurisht, ndihmoi edhe fakti që Perëndia ndërhyri me një mrekulli.

Jo e zakonshme
Faktori i dytë i rëndësishëm për t’u marrë parasysh është se pjesa më e madhe e shërbesës së Bonifacit ishte shumë më pak dramatike dhe me shumë më pak përballje. Në hyrjen e tij për Letrat e Shën Bonifacit, studiuesi mesjetar Thomas F. X. Noble vëren: “Ngjarje madhështore, si prerja e lisit në Geismar, shfaqen shumë rrallë. Misionarët nuk ishin qëllimisht provokues. Ata synonin të mësonin nëpërmjet fjalës dhe shembullit. Fakti që shembulli ishte i rëndësishëm për ta, mund të ndihmojë në shpjegimin e vëmendjes së vazhdueshme të Bonifacit ndaj moralit klerikal.” Shërbesa e Bonifacit përqendrohej më shumë në mjete të zakonshme sesa në përballje të jashtëzakonshme.

Historia e Bonifacit dhe lisit është e vlefshme për t’u kujtuar dhe për t’u rrëfyer. Mirëpo një ngjarje e vetme dramatike nuk përbën një qasje të plotë ndaj shërbesës (është njësoj sikur të themi se hapja e Biblës rastësisht nga Agustini caktoi teknikën më të vërtetë dhe më të mirë të ungjillëzimit). Shumicën e kohës, Bonifaci përpiqej të shmangte fyerjen, përveç rasteve kur kjo ishte e domosdoshme për shkak të ungjillit. Afërsisht në të njëjtën kohë me prerjen e Lisit të Thor-it, peshkop Danieli i shkroi Bonifacit një letër në të cilën sugjeron se si “mund ta kapërcesh më lehtë rezistencën e atij populli të paqytetëruar”. Danieli e këshilloi kështu Bonifacin: “Mos fillo duke debatuar me ta për origjinën e perëndive të tyre.” Ai këmbëngulte se Bonifaci do të ishte më i aftë t’u kundërpërgjigjej pretendimeve të tyre pasi t’i linte të flisnin për pak kohë. Danieli, gjithashtu, e udhëzoi Bonifacin se një nga mbrojtjet më të mira për besimin e krishterë ishte të tregonte se sa më të përparuar dhe më të qytetëruar ishin të krishterët.

Për peshkop Danielin dhe për mikun e tij Bonifacin, përballja kulturore kishte të bënte më shumë me bindjen sesa me provokimin. Ja si e përmbledh Danieli këshillën e tij në një paragraf veçanërisht të njohur:

“Këto dhe shumë gjëra të ngjashme, të cilat do të kërkonin shumë kohë për t’u renditur, duhet t’ua paraqesësh atyre jo në mënyrë fyese apo për t’i zemëruar, por me qetësi dhe me shumë maturi. Herë pas here duhet t’i krahasosh besëtytnitë e tyre me doktrinat tona të krishtera, duke u rënë rrotull, si të thuash, në mënyrë që paganët, më shumë të hutuar sesa të zemëruar, të turpërohen nga idetë e tyre absurde dhe të kuptojnë se ceremonitë dhe përrallat e tyre të pahijshme janë shumë të njohura për ne.”

Me fjalë të tjera: qëndro i qetë, mos u bëj i bezdisshëm, njihu me idetë e tyre dhe tregoju se doktrina e krishterë është më e mirë dhe më koherente. Kjo ishte qasja që mentori i Bonifacit në Angli dëshironte që ai të ndiqte. Dhe në përgjithësi, kjo ishte mënyra se si Bonifaci — studenti studiues i kthyer në peshkop misionar — e zhvilloi shërbesën e tij.

Përfundim
Megjithëse shembulli i Bonifacit mobilizoi breza të tërë misionarësh gjatë Mesjetës, Richard Fletcher-i vëren se “në fakt, Bonifaci kaloi shumë pak nga jeta e tij duke punuar ndër paganët e mirëfilltë”. Gjysma e parë e karrierës së tij ishte në Angli si student, mësues dhe studiues. Më pas, në gjysmën e dytë të jetës së tij, duke jetuar midis frankëve, Bonifaci punoi kryesisht si reformator i atyre që ishin vetëm pjesërisht të kthyer në besim dhe si ndërtues i institucioneve kishtare. Ai përforcoi besnikërinë ndaj Romës dhe rendin romak; ai ktheu në besim ata që ishin të krishterë vetëm në emër; ai reformoi dhe rigjallëroi kishat franke. “Këto ishin arritje kolosale”, argumenton Fletcher-i, “por nuk ishin ato për të cilat vetë Bonifaci do të kishte dashur të kujtohej.”

E megjithatë, ne duhet ta kujtojmë.

Bonifaci jetoi një jetë të jashtëzakonshme (duke arritur shumë për ungjillin) dhe përjetoi një vdekje triumfuese si martir. Do t’u takonte brezave të mëvonshëm të kthenin në besim popujt paganë të Gjermanisë, por kujtimi i Bonifacit i frymëzoi ato përpjekje. Mund të themi se puna e tij kryesore ishte reformimi dhe rigjallërimi. Ai ishte vazhdimisht i përfshirë në çështje organizative dhe në problematika të politikës së pushtetit. Megjithatë, Bonifaci dëshmoi për Krishtin kudo që mundi — madje edhe me çmimin e jetës së tij.

Në fund, sado që Bonifaci kujtohet kryesisht për sëpatën e tij, ishin dekadat e shumta të shpalljes së ungjillit, dishepullimit të të krishterëve, ndërtimit të manastireve dhe dioqezave, kultivimit të shenjtërisë personale, menaxhimit të konflikteve dhe mbajtjes së dorës në parmendë [përkushtimit të vazhdueshëm në shërbesë] që e bënë Bonifacin të suksesshëm. Ky është rrugëtimi që Bonifaci zgjodhi për jetën dhe shërbesën e tij, dhe kjo është një mundësi e hapur për të gjithë ne.


Për studim të mëtejshëm

Willibald, The Life of Saint Boniface (Jeta e Shën Bonifacit), përkth. George W. Robinson (Cambridge: Harvard University Press, 1916).

The Letters of Saint Boniface (Letrat e Shën Bonifacit), përkth. Ephraim Emerton (New York: Columbia University Press, 2000).

Richard Fletcher, The Barbarian Conversion: From Paganism to Christianity (Berkeley, CA: University of California Press, 1999), 204–213.

Robert Louis Wilken, The First Thousand Years: A Global History of Christianity (New Haven: Yale University Press, 2012), 276–278.

Peter Heather, Christendom: The Triumph of a Religion, AD 300–1300 (New York: Alfred A. Knopf, 2023), 240–253.


Kevin DeYoung është pastori kryesor i kishës “Christ Covenant” (PCA) në Matthews, North Carolina dhe profesor i asociuar i teologjisë sistematike në Reformed Theological Seminary.


Botuar me lejehttps://clearlyreformed.org/who-was-st-boniface/

Përktheu: Sara Jaupllari | Redaktoi: Lea Allkoja

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2026 


Etiketa

Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?
12 gusht – Shpallja e mëshirës
11 gusht – Na pret toka e thatë