“Kur Perëndia pa atë që bënin, domethënë që po ktheheshin nga rruga e tyre e keqe, Perëndia u pendua për të keqen që kishte thënë se do t’u bënte dhe nuk e bëri. Por kjo nuk i pëlqeu aspak Jonas, i cili u zemërua.” JONA 3:10 – 4:1
Ndonjëherë edhe profetët kanë shumë për të mësuar.
Pas kohës që kaloi në barkun e peshkut, Jona nuk ishte më i pabindur, mirëpo ai ishte i pështjelluar në bindjen e tij, duke vazhduar të përleshej me hirin sovran të Perëndisë. Edhe pse në fillim ishte përpjekur t’ia mbathte nga qëllimi që Perëndia kishte për të, Jona shkoi atje ku i ishte thënë të shkonte dhe shpalli mesazhin që i ishte dhënë të shpallte, por ai nuk ishte aspak në harmoni me planin e hirshëm të Perëndisë për Ninivenë. Rizgjimi kishte shpërthyer në një qytet që kishte qenë tërësisht i ngurtësuar ndaj Perëndisë së Izraelit — dhe profeti i Perëndisë reagoi me zemërim ndaj Perëndisë së tij!
Megjithatë, edhe pse Jona ishte i vrazhdë, mendjengushtë dhe reagoi gabim ndaj mirësisë së Perëndisë, Ai nuk i hoqi vizë. Perëndia tashmë kishte siguruar një peshk të madh për ta shpëtuar Jonan nga mosbindja e tij; me të drejtë, Ai mund të kishte siguruar një luan të madh që ta hante Jonan! Mirëpo nuk e bëri, pasi Ai është i hirshëm dhe i dhembshur. Ai e trajtoi Jonan me durim dhe mirësi, për ta bërë që të kuptonte se gabimi më i madh nuk ishte ajo që kishte bërë, por qëndrimi i tij ndaj situatës.
Reagimi i Jonas ndaj pendimit të niniveasve ishte i çuditshëm për një predikues. Ne mund të kishim pritur që ai të ishte mirënjohës që Perëndia zgjodhi të mos e hidhte poshtë, por t’i jepte privilegjin për të qenë i dobishëm në shërbimin e Tij. Mirëpo pendimi i qytetit “nuk i pëlqeu aspak Jonas”. Një përkthim i drejtpërdrejtë i këtij vargu shkon një hap më tej: “Kjo për Jonan ishte ligësi, një ligësi e madhe.” Mungesa e fatkeqësisë që ai po priste — një gjykim që ai mendonte dhe shpresonte se do të vinte mbi Ninivenë — doli që ishte një fatkeqësi në vetë zemrën dhe mendjen e tij.
Edhe pse kjo mund të tingëllojë si e pakëndshme, ne mund t’i shohim qëndrimet dhe reagimet tona të reflektuara në ato të Jonas. Mund të shkojmë atje ku na thuhet të shkojmë dhe mund të themi atë që duhet të themi, nga jashtë mund të jemi në harmoni me gjithçka që Perëndia na ka thirrur të bëjmë… e megjithatë, në thelb të jetës sonë, mund të mos jemi vërtet në harmoni me mënyrën se si po shpaloset plani i Tij. Ne mund të dëshirojmë më fort që të bjerë gjykimi, sesa të jepet mëshirë. Ne mund të zemërohemi me Perëndinë kur Ai i bekon të tjerët në mënyra që nuk na ka bekuar ne, ose kur i bekon ata ndërkohë që nuk po tregojnë përkushtim ndaj misionit të Tij, ashtu siç mendojmë se kemi treguar ne. Mund të ndodhë që t’i themi Perëndisë se si duhet t’i qeverisë Ai gjërat në botën e Tij.
Çfarë do të na sjellë në harmoni me dhembshurinë e Tij dhe të na dërgojë plot gëzim në misionin e Tij? Thjesht kjo: të kuptojmë që nuk jemi më të mirë se ndokush tjetër — që e meritojmë njëlloj zemërimin e Tij dhe që nuk e meritojmë fare mirësinë e Tij. Duke qenë se kryqi demonstron mëshirën e Perëndisë, ai na i përul zemrat dhe na mbush me të njëjtën dhembshuri dhe hir që e çuan Birin e Tij në Kalvar. A po përleshesh për të jetuar me një dhembshuri të tillë ndaj të tjerëve? Sodite kryqin dhe kërkoji Zotit të të mësojë atë që edhe Jona kishte nevojë që ta mësonte.
