“Tani, Pilati shkroi edhe një mbishkrim dhe e vuri mbi kryq. Dhe aty ishte shkruar: ‘Jezus nazaretasi, mbreti i judenjve.’” GJONI 19:19
Ndërsa Jezusi u kryqëzua mbi kryq, u shkrua një mbishkrim që u vu mbi kryet e Tij, i cili e shpallte Atë si “Mbretin e judenjve”. Edhe pse ky mbishkrim u vendos për tallje, ai shpalli një të vërtetë për t’u parë nga të gjithë: Jezusi ishte dhe është me të vërtetë Mbret! Megjithatë, kjo duhet të na shtyjë të pyesim veten: A po jetoj vërtet sikur Jezusi është Mbreti i jetës sime?
Shkrimi na thotë se mbishkrimi u shkrua në tri gjuhë: në aramaisht, gjuha e shumicës së judenjve të shekullit të parë në Jerusalem dhe përreth tij; në latinisht, gjuha zyrtare e Perandorisë Romake; dhe në greqisht, gjuha popullore e tregtisë dhe e kulturës (Gjoni 19:20). Në këto tri gjuhë, dëshmitarë nga e gjithë bota e njohur e asaj kohe mund të lexonin se Jezusi ishte Mbret. Me të lexuar mbishkrimin, e gjithë bota duhej të bënte zgjedhjen e vet se kush ishte Jezusi për ta.
Ne shohim një mikrokozmos të asaj bote — dhe të botës sonë — në gamën e personazheve të historisë së vdekjes së Jezusit. Te Pilati, shohim politikanin krenar, të pavendosur dhe dinak. Tek ushtarët që e gozhdojnë Krishtin në kryqin e Tij, shohim njerëzit e përqendruar në kryerjen e një pune rutinë. Tek ata që u tallën me Zotin, shohim njerëz, ndërveprimi i vetëm i të cilëve me hyjnoren është që të tallen me Të. Te turma e spektatorëve pasivë, shohim ata që nuk kanë aspak interes për çështjet e përjetshme. Mirëpo, në mes të errësirës, në një prej kryqeve përkrah shohim një kusar të dëshpëruar që po vdes, i cili sheh drejt Shpëtimtarit për shpresë — dhe e gjen atë. Te familja dhe miqtë e Jezusit aty pranë, ne shohim ndjekës të pikëlluar, por besnikë, të cilët qëndrojnë me Krishtin dhe deklaratat e Tij — dhe janë dëshmitarë të varrimit të Tij në një varr që shumë shpejt do të jetë bosh.
Të gjithë këta njerëz e panë mbishkrimin: Jezus nazaretasi, mbreti i judenjve. Të gjithë e panë njeriun në kryq, poshtë këtij mbishkrimi. Qoftë me urrejtje, qoftë me shpresë, të gjithë e panë këtë ngjarje historike dhe të gjithë duhej ta lidhnin atë dhe personalitetin e Krishtit me jetën e tyre. Ndërkohë që mbishkrimi i varur e shpallte Krishtin si Mbret, Jezusi u var duke shpallur dashurinë më të fuqishme që ka njohur bota.
Pyetja mbetet: Çfarë do të bëjmë me këtë dashuri? Secili prej nesh mund të gjejë në turmë një fytyrë me të cilën të identifikohet, qoftë ajo fytyra e krenarëve, e pasivëve apo e besnikëve. Të gjithë ne ballafaqohemi me personin jetëndryshues të Jezu Krishtit.
Si ndikojnë kryqi dhe varri bosh në marrëdhëniet e tua, në punën, në qëllimin ose në identitetin tënd? Nëse Jezusi mbretëron mbi jetën tënde, vdekja dhe ringjallja e Tij e ndryshojnë krejtësisht mënyrën se si jeton dhe kuptimin e jetës sate. Kur e shikon këtë njeri dhe bie dakord me atë mbishkrim, ka shpresë për përjetësinë dhe qëllim për të sotmen. “Jezusi është Mbreti” — i hebrenjve dhe i johebrenjve, mbreti i gjithë botës, dhe i jetës sate dhe simes.
