prill 16

Prill 2022


Mëshirat e Perëndisë janë të reja çdo mëngjes, sepse çdo ditë ka mëshirë aq sa i takon. Perëndia është Ai që i cakton vështirësitë e çdo dite dhe është po Ai që cakton edhe mëshirat e çdo dite. Këto gjëra janë caktuar në mënyrë të përsosur në jetën e fëmijëve të Tij. Jezusi tha: “Mos u shqetësoni, pra, për të nesërmen, sepse e nesërmja do të shqetësohet vetë për vete. Secilës ditë i mjafton e keqja e vet” (Mateu 6:34). Çdo ditë ka mundimet e saj. Çdo ditë ka mëshirat e saj dhe secila prej tyre është e re çdo mëngjes.

Megjithatë, ne shpesh kemi prirjen të dëshpërohemi, kur mendojmë se mund të na duhet të mbajmë barrën e së nesërmes me fuqitë e të sotmes. Perëndia dëshiron që ne të dimë se nuk do të na duhet ta bëjmë këtë barrë. Mëshirat e sotme janë për vështirësitë e të sotmes. Mëshirat e së nesërmes janë për vështirësitë e së nesërmes.

Ndonjëherë ne vrasim mendjen nëse do të kemi mëshirën për të qëndruar të palëkundur në sprovën e tmerrshme. Po, do ta kemi! Pjetri thotë: “Në qoftë se ju fyejnë për emrin e Krishtit lum ju, sepse Fryma e lavdisë dhe Fryma e Perëndisë prehet mbi ju” (1 e Pjetrit 4:14). Kur vjen fyerja, vjen edhe Fryma e lavdisë. Kjo i ndodhi Stefanit, teksa po e vrisnin me gurë. Kjo do të ndodhë edhe për ty. Kur t’ju nevojitet Fryma dhe lavdia, ato do të vijnë.

Mana në shkretëtirë jepej çdo ditë. Ajo nuk mund të ruhej. Kështu edhe ne duhet të varemi në mëshirën e Perëndisë. Ti nuk e merr sot forcën për të mbajtur barrët e së nesërmes. Sot të jepet mëshirë për vështirësitë e të sotmes.

Nesër, mëshirat do të jenë të reja. “Besnik është Perëndia, nga i cili u thirrët në bashkësinë e Birit të tij Jezu Krishtit, Zotit tonë” (1 e Korintasve 1:9).


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia