16 Maj 2026

“…Ruthi shkoi dhe nisi të mbledhë kallinjtë prapa korrësve; dhe i rastisi të ndodhej në pjesën e arës që ishte pronë e Boazit, i cili i përkiste familjes së Elimelekut. Por ja që Boazi erdhi në Bethlehem…” RUTHI 2:3-4

Ajo që shpesh na duket si një rrëmujë nyjesh, është thjesht pamja e pasme e sixhadesë që po end Perëndia.

Naomi dhe Ruthi kishin përjetuar pjesën e tyre të “fijeve të koklavitura” në jetë. Ato arritën në Izrael të veja dhe pa asnjë qindarkë — një pozitë e rrezikshme për gratë në një shoqëri që nuk i zbaton ligjet (shih Gjyqtarët 21:25). Në shoqërinë izraelite të Besëlidhjes së Vjetër, ligji lejonte që të varfrit të hynin në arë dhe të mblidhnin kallinjtë e mbetur, duke shkuar pas korrësve. Ky ligj u vendos nga Vetë Perëndia dhe tregonte kujdesin dhe shqetësimin e Tij për nevojtarët. Mirëpo ligji i Perëndisë nuk zbatohej gjithmonë — jo shpesh — në këtë periudhë. Megjithatë, kur Ruthi vendosi të shkonte nëpër ara, Perëndia punoi nëpërmjet këtij ligji për të siguruar në një mënyrë të prekshme për të dhe Naomin. Vendimi i Ruthit, në dukje i zakonshëm, u bë një ilustrim i planit të provanisë së Perëndisë për të dyja gratë — si dhe për të gjithë historinë e shpengimit!

Ruthi përfundoi duke mbledhur kallinj në arën e Boazit, një farefis i largët i burrit të vdekur të Naomit, si dhe një burrë i pasur dhe me pozitë të lartë. Izraelitët e lashtë e kuptonin se familja ishte njësia bazë e shoqërisë dhe anëtarët e familjes më të gjerë kishin detyrime për të mbështetur dhe për të mbrojtur të afërmit që ishin në vështirësi si Naomi. E gjitha kjo lë të kuptohet se dora e Perëndisë ka siguruar bujarisht për Ruthin dhe Naomin, madje edhe në mënyra që në pamje të parë duken si të rëndomta.

Në fakt, ndërsa lexojmë historinë e Ruthit, vërejmë se shumë nga hollësitë e saj shpalosen në dukje si rastësi. Rastisi që Ruthi vendosi të mblidhte kallinj atë ditë. Rastisi që Naomi e inkurajoi. Rastisi që Boazi zgjodhi atë kohë për të korrur arën e tij. Rastisi që Ruthi zgjodhi fushën e tij. Por kur e shikojmë historinë në tërësi, dallojmë se të gjitha këto ndodhi ishin instrumentet e kujdesit të provanisë së Perëndisë në shpalosjen e qëllimit të Tij të shpengimit. Në fund të fundit, nga pasardhja e Boazit dhe Ruthit do të dilnin mbreti David dhe, përfundimisht, Vetë Zoti Jezu Krisht — një furnizues dhe mbrojtës më i madh, i cili, gjithashtu, “erdhi në Bethlehem”.

Teksa Perëndia i thurte këto fije në historinë e Tij të bukur të furnizimit, Ruthi dhe Naomi sigurisht që do të kishin menduar se ato fije dukeshin me nyje, të këputura dhe ndonjëherë edhe të koklavitura. Satani shpesh dëshiron që ne të mbetemi të përqendruar në rrethana të tilla, në dukje të ngatërruara dhe shkurajuese, duke dyshuar te Perëndia dhe te furnizimi i Tij i mirë. Ne e harrojmë kaq lehtë se ajo që duket si rrëmujë, është thjesht pamja e pasme e sixhadesë që po end Perëndia. Megjithatë, një ditë, kur të kemi mundësinë për t’i parë punëdoret e Tij nga ana tjetër, do të vërtetohet se të gjitha ato fije të çuditshme dhe të errëta kanë qenë pjesë e modelit të Tij të lavdishëm. Sot, mbani mend se nuk ka “rastësi”, se pasiguritë dhe vështirësitë janë mundësi për të besuar në Perëndinë dhe se, pas gjithë atyre, Ai po i përmbush planet e Tij për ta begatuar popullin e Tij në besim dhe perëndishmëri, si dhe për t’i sjellë ata në shtëpi.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

RUTHI 2