15 Maj 2026

“Ruthi, moabitja, i tha Naomit: ‘Lërmë të shkoj nëpër ara e të mbledh kallinj prapa atij në sytë e të cilit do të gjej hir’…” RUTHI 2:2

A e fillon ndonjëherë ditën tënde shtrirë në shtrat, duke menduar për gjithçka që të pret dhe të rrethon? A e ndien veten të mbingarkuar nga sfidat e ditës që po vjen apo të mbingarkuar nga rutina e saj?

Ndërsa zgjohej në ato ditë të para të jetës së saj të re në Bethlehem, ka të ngjarë që Ruthit t’i jetë dashur të kalonte pak çaste për t’i kujtuar vetes se ku ishte dhe gjithçka që kishte ndodhur: Burri im vdiq. Tani po jetoj me vjehrrën, gjithashtu të ve, në një vend të huaj. E di, vendosa të largohesha, por shpresoj të kem bërë gjënë e duhur. Po tani?

Ruthi nuk ndenji këmbëkryq duke pritur një ndërhyrje të mrekullueshme përpara se të vazhdonte jetën e saj. Jo, arsyeja e shëndoshë e çoi atë në të menduarit e kujdesshëm dhe të menduarit e kujdesshëm e çoi në veprime praktike. Ruthi e dinte se ajo dhe Naomi kishin nevojë për furnizim dhe e kuptoi se ishte e aftë për të punuar. Prandaj, kërkoi këshillën dhe miratimin e Naomit përpara se të dilte nëpër fusha për të punuar dhe për të gjetur ushqim.

Gjykimi i shëndoshë nuk do të thotë mbështetje në njohuritë ose aftësitë tona. Ne duhet t’i besojmë Perëndisë dhe të shikojmë drejt Tij. Por duhet të përdorim gjithashtu aftësitë që na ka dhënë Ai, për të jetuar një jetë të arsyeshme në përputhje me vullnetin e Tij. Ne duhet të jemi të përgatitur për të bërë atë që mundemi dhe të tjerat t’i lëmë nën kujdesin e Perëndisë. Mos e ngatërroni pasivitetin me perëndishmërinë. Megjithatë, me qëndrimin dhe veprimet e saj, Ruthi na mëson se gjithçka që siguron Perëndia — çdo mundësi për të marrë atë që na nevojitet — është mëshirë dhe favor i pamerituar, i dhënë nga Dhuruesi i çdo dhurate të mirë dhe të përsosur (Jakobi 1:17).

Ndërsa ngrihemi dhe ndërmarrim veprime, mund të besojmë se Perëndia nuk rri kot. Ai po bën që çdo gjë të bashkëveprojë sipas vullnetit të Tij (Romakëve 8:28), jo si një paketë që na zbritet nga qielli me një spango, por si një rrotull që shpaloset ditë pas dite ndërsa ecim gjatë rrugës së jetës. Favori i Tij në gjërat e zakonshme të jetës na bën të marshojmë drejt një dite tjetër. Dita jote mund të mos duket emocionuese apo magjepsëse. Mund të mos jesh i sigurt se si do ta kapërcesh sfidën me të cilën po përballesh. Mirëpo kjo është dita që të ka dhënë Perëndia dhe Ai do të të japë gjithçka që të nevojitet, për të bërë gjithçka që Ai të thërret të bësh.

A do të ngrihesh si Ruthi dhe do të vazhdosh përpara në këtë jetë që të është dhënë, duke jetuar për Perëndinë dhe lavdinë e Tij?

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

II SELANIKASVE 3:7-12