15 Korrik 2026

“[Ai është] duke na bërë të njohur misterin e vullnetit të tij, sipas pëlqimit të tij, të cilin e përcaktoi në Krishtin për administrim të plotësisë së kohëve, që t’i përmbledhë të gjitha gjërat në Krishtin: ato në qiej dhe ato mbi tokë, në të.” EFESIANËVE 1:9-10

Kur e shihni ngrehinën e një ndërtese të re nga jashtë, gjithçka që po ndodh poshtë të gjitha skelave dhe perdeve që e rrethojnë shtëpinë, mund të duket si mister. Diçka duket se po merr formë, por kushdo tjetër, përveç arkitektit, mund ta ketë të vështirë ta imagjinojë plotësisht rezultatin përfundimtar.

Në dramën e shpalosur të Besëlidhjes së Vjetër, misteri i vullnetit të Perëndisë u ngjan skelave dhe perdeve rrethuese, të cilat i mbulojnë disa pjesë të historisë biblike derisa, siç thotë Pali, “erdhi plotësia e kohës” (Galatasve 4:4). Ashtu sikurse vetë profetët profetizuan në lidhje me Atë që do të vinte, ata vetëm mund ta merrnin me mend domethënien e plotë pas të gjithë treguesve dhe të dhënave që gjenden nëpër shkrimet e tyre (I e Pjetrit 1:10-11).

Në gjuhën biblike, një “mister” nuk është një enigmë që pret të zgjidhet nga zgjuarsia njerëzore. Përkundrazi, është një sekret që pret të zbulohet nga Perëndia. Shumë nga misteret e Perëndisë bëhen të kuptueshme për ne nëpërmjet punës së Frymës të Tij në zemrat dhe mendjet tona. Veçmas punës së Tij, ne nuk mund t’i kuptojmë dot ato.

Pas ringjalljes së Tij, kur Jezusi pati mundësinë për t’iu drejtuar udhëtarëve të mërzitur rrugës për në Emaus, Ai iu përgjigj atyre me dashuri, por edhe në mënyrë strategjike (Luka 24:18-27). Në fillim, ata nuk e kishin njohur, ndaj e pyetën: “A je ti i vetmi që je ardhës në Jerusalem dhe që nuk i paske marrë vesh ato që ndodhën në të gjatë këtyre ditëve?”. (Sa iro­nike!) Jezusi thjesht u përgjigj: “Cilat?”. Ai donte që t’ia thoshin ata. Pastaj, pasi ata i treguan historinë e kryqëzimit dhe të ringjalljes së Tij, Ai u tha: “O të pamend dhe të ngadalshëm nga zemra për të besuar në të gjitha ato që folën profetët!”. Ata nuk e kishin kuptuar ende misterin — prandaj, Luka na thotë se Zoti u sqaroi: “‘A nuk duhej që Krishti të vuante këto gjëra dhe të hynte në lavdinë e tij?’. Dhe duke filluar nga Moisiu dhe nga të gjithë profetët, u interpretoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që kishin të bënin me veten e tij.”

“Misteri i vullnetit të tij” i është bërë — në të vërtetë, po i bëhet — i njohur popullit të Perëndisë, që Ai të mund t’i “përmbledhë të gjitha gjërat në Krishtin”. Një ditë, kur të gjitha stinët që Ati ka caktuar me autoritetin e Tij, të kenë kaluar, i gjithë ky unitet do të përmbushet. Më në fund, skelat, mbështjelljet dhe perdet do të hiqen dhe ne do ta shohim ndërtesën të përfunduar. Deri në atë ditë, ne mund të jemi mirënjohës që Zoti na ka zbuluar misterin e shpëtimit dhe mund të ecim në shërbim dhe lëvdim të Tij, të sigurt se, megjithëse mund të mos i kuptojmë planet ose përparimin drejt përfundimit, Arkitekti hyjnor po sigurohet që të gjitha gjërat të bashkëveprojnë për të mirën e popullit të Tij dhe për lavdinë e Birit të Tij.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 15:12-17