tetor 15

Tetor 2022


Lutja ndjek gëzimin në bashkësinë e frytshme me Jezusin, në njohjen se Perëndia përlëvdohet kur ne japim fryt si përgjigje ndaj lutjes. Pse fëmijët e Perëndisë dështojnë aq shpesh të kenë zakone të rregullta dhe të lumtura të lutjes së frytshme?

Nëse nuk gabohem, një arsye është se nuk planifikojmë të lutemi, jo se nuk duam të lutemi.

Nëse do që të kalosh katër javë pushime, nuk zgjohesh një mëngjes dhe i thua vetes: “Hej, le të shkojmë sot!” Asgjë nuk do të jetë gati. Nuk do ta dish se ku të shkosh. Nuk ke planifikuar asgjë.

Ama kjo është mënyra se si shumë prej nesh e trajtojmë lutjen. Zgjohemi ditë pas dite dhe kuptojmë që kohët e konsiderueshme të lutjes duhet të jenë pjesë e jetës tonë, por asgjë nuk është gati.

Ne nuk e dimë ku të shkojmë. Asgjë nuk është planifikuar. Nuk kemi kohë. Nuk kemi një vend. Nuk kemi një procedurë. Të gjithë e dimë se e kundërta e planifikimit nuk është rrjedha e mrekullueshme, e thellë dhe spontane e përjetimeve në lutje. E kundërta e planifikimit është rutina e vjetër.

Nëse nuk planifikon një kohë pushimesh, ka gjasa që do të qëndrosh në shtëpi dhe do të shohësh televizor. Rrjedha e natyrshme dhe e paplanifikuar e jetës frymërore bie në nivelin më të ulët të gjallërisë. Ka një garë që duhet vrapuar dhe një luftë që duhet luftuar. Nëse dëshiron ripërtëritje në jetën tënde të lutjes, duhet të planifikosh që ta shohësh këtë gjë.

Prandaj, nxitja ime e thjeshtë është kjo: Le të kalojmë kohë pikërisht sot për t’i menduar sërish përparësitë tona dhe se çfarë vendi zë lutja. Bëj një zotim të ri. Provo një aventurë të re me Perëndinë. Cakto një kohë. Cakto një vend. Zgjidh një pjesë nga Shkrimi që të të drejtojë.

Mos u tiranizo nga presioni i ditëve të ngjeshura. Të gjithë kemi nevojë për korrigjim drejtimi kur jemi në udhë e sipër. Bëje këtë ditë, ditën kur do t’i kthehesh lutjes–për lavdinë e Perëndisë dhe për plotësinë e gëzimit tënd.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia