15 shkurt

Shkurt 2022


Dashuria e Krishtit për ne në vdekjen e Tij ishte po aq e vetëdijshme, sa edhe vuajtjet e Tij ishin të qëllimshme. Nëse Ai u tregua i qëllimshëm kur e la jetën e Tij, kjo ishte për ne. Kjo ishte dashuri!

“Jezusi, duke e ditur se kishte ardhur ora e tij të kalojë nga kjo botë tek Ati, duke i dashur të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund” (Gjoni 13:1).

Çdo hap në shtegun e Kalvarit përcillte fjalët, “Të dua”.

Prandaj, për ta ndjerë dashurinë e Krishtit në dhënien e jetës së tij, na ndihmon të shohim se sa krejtësisht e qëllimshme ishte ajo.

Shikoni çfarë tha Jezusi pak pas atij çasti të dhunshëm kur Pjetri u përpoq t’ia hiqte kokën shërbëtorit, por i preu vetëm veshin.

Atëherë Jezusi i tha: “Ktheje shpatën tënde në vendin e vet, sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të humbasin. A kujton, vallë, se nuk mund t’i lutem tani Atit tim, dhe ai të më dërgojë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh? Po atëherë si do të përmbusheshin Shkrimet, sipas të cilave duhet të ndodhë kështu?” (Mateu 26:52-54)

Është një gjë të thuash se hollësitë e vdekjes së Jezusit ishin parashikuar në Dhiatën e Vjetër, por është gjë edhe më e madhe të thuash se Ai vetë po i bënte zgjedhjet e Tij qëllimisht për t’u siguruar që Shkrimet të përmbusheshin.

Këtë tha Jezusi se po bënte te Mateu 26:54, “mund t’i shpëtoja këtij mjerimi, ‘po atëherë si do të përmbusheshin Shkrimet, sipas të cilave duhet të ndodhë kështu?’”

Me fjalë të tjera, nuk po zgjedh rrugëdaljen që mund ta zgjedh, sepse i njoh Shkrimet. E di se çfarë duhet të ndodhë që populli im të shpëtohet. Është zgjedhja ime që ta përmbush gjithë sa është parashikuar për mua në fjalën e Perëndisë. Është zgjedhja ime—në çdo hap përgjatë këtij shtegu—që t’i dua njerëzit e mi deri në fund. Dhe dua që ata ta ndiejnë këtë. Dua që të jenë plotësisht të sigurt, të lirë dhe radikalisht të ndryshëm nga bota.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia