14 Prill 2026

“Atëherë, kur e panë kryepriftërinjtë dhe rojat, bërtitën duke thënë: ‘ Kryqëzoje! Kryqëzoje!’. Pilati u tha: ‘Merreni ju dhe kryqëzojeni, sepse unë nuk gjej në të shkak padie’. Judenjtë iu përgjigjën: ‘Ne kemi një ligj dhe sipas ligjit duhet të vdesë, sepse e bëri vetveten Bir të Perëndisë’. Atëherë, kur e dëgjoi Pilati këtë fjalë, u frikësua më tepër.” GJONI 19:6-8

Për lavdërimin e kujt do të jetoni?

Kur Krishtin e nxorën në gjyq përpara Pilatit, qeveritari romak e shpalli në mënyrë të përsëritur pafajësinë e Tij — e megjithatë, ai i shoqëroi deklaratat e tij me akte të tmerrshme kundër Tij.

Pilati tha: “…unë nuk gjej në të shkak padie” — dhe më pas e dorëzoi Jezusin që të fshikullohej brutalisht, një rrahje aq e fortë sa ndonjëherë shkaktonte çarje dhe hapje, gjë që çonte në ekspozimin e venave, arterieve dhe organeve të brendshme.

Pilati tha: “…unë nuk gjej në të shkak padie” — dhe më pas i la ushtarët ta poshtëronin Jezusin me një kurorëzim tallës, duke i vendosur një kurorë prej ferrash mbi kokë, duke e veshur dhe duke e “adhuruar” gjithë përbuzje.

Pilati tha: “…unë nuk gjej në të shkak padie” — ama, a e liroi Jezusin? Jo, ai ia dorëzoi Jezusin një skuadre të egër ekzekutimi për ta vrarë.

Nuk ka pasur kurrë një individ më të torturuar se Pilati që të jetë takuar me Krishtin. Ja tek kemi një njeri me pushtet të madh, por të cilit i mungonte guximi për të qëndruar pas bindjeve të tij. Ja një njeri shumë i suksesshëm, por që bëri kompromis, i cili nën petkun e pozitës së tij tregoi se ishte frikacak. Ja një qeveritar që u qeveris nga dobësitë e veta.

Ne nuk mund të jemi pasivë apo të pavendosur lidhur me atë se kush është Krishti për ne. A është Ai Shpëtimtari apo është një askush? Të abstenosh për të marrë një vendim në lidhje me këtë, siç u përpoq të bënte Pilati, do të thotë ta refuzosh plotësisht Krishtin.

Pilati qëndron si një sfidë për secilin prej nesh. Sjellja e tij na detyron të pyesim veten: Në çfarë situatash edhe unë, ashtu si Pilati, e di se cila është gjëja e duhur që duhet bërë, e megjithatë kam frikë se ç’do të thonë njerëzit e tjerë nëse e bëj? A ka mënyra në të cilat fjalët ose sjellja ime kontrollohen më shumë nga pritshmëritë dhe reagimi i të tjerëve, ose nga dëshirat për pasuri, pozitë apo promovim, sesa nga urdhrat e Krishtit?

Le të mos bëjmë kompromis me qëndrimin tonë në lidhje me Krishtin. Nëse i lëmë opinionet e kolegëve, të fqinjëve ose të familjeve tona të na shqetësojnë tepër, ne mund ta gjejmë veten duke hequr dorë nga falja, paqja, qielli dhe vetë Krishti, në këmbim të një jete më të lehtë tani. Përkundrazi, le të tregohemi të guximshëm.

Shikoje përsëri Krishtin: i fshikulluar, i tallur dhe i vrarë nga dashuria për ty. Pastaj, shikoji ata që, ndoshta me egërsi ose ndoshta me qesëndi, tallen me të vërtetën e Tij. Kë do të parapëlqeje të ofendoje? Prej kujt do të dëshiroje t’i dëgjoje fjalët “të lumtë”?

Krishti po na fton të vijmë tek Ai, që të mund të dalim dhe të jetojmë për Të. A do të vish dhe do të shkosh?

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 19:1-16