nentor 15

Nëntor 2022


Kur jam në ankth për ndonjë takim apo nismë të re, që mbart rrezik, e luftoj mosbesimin rregullisht me një nga premtimet që përdor më shpesh, dhe ky është Isaia 41:10.

Ditën që u largova nga Amerika, për të kaluar tre vjet në Gjermani, babai im më telefonoi dhe më dha këtë premtim në telefon. Për tre vjet duhet t’ia kem cituar vetes pesëqind herë që të kaloja përmes periudhave të jashtëzakonshme të stresit.

Kur mendja ime nuk po bluan ndonjë mendim, tingulli që dëgjohet është ai i premtimit të Isaias 41:10. E dua këtë varg.

Sigurisht që kjo nuk është kama e vetme në arsenalin e besimit tim.

Kur jam i shqetësuar që shërbesa ime është e zbrazët dhe e padobishme, e luftoj mosbesimin me premtimin nga Isaia 55:11: “Kështu do të jetë fjala ime, që del nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova.”

Kur jam i shqetësuar se jam tepër i dobët për ta bërë punën time, e luftoj mosbesimin me premtimin e Krishtit, që thotë: “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi” (2 e Korintasve 12:9).

Kur jam i shqetësuar për vendimet që duhet të marr në lidhje me të ardhmen time, e luftoj mosbesimin me premtimin: “Unë do të të edukoj dhe do të të mësoj rrugën nëpër të cilën duhet të ecësh; unë do të të këshilloj dhe do ta mbaj syrin tim mbi ty” (Psalmi 32:8).

Kur jam i shqetësuar nga përballja me kundërshtarët, e luftoj mosbesimin me premtimin: “Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?” (Romakëve 8:31).

Kur jam i shqetësuar për mirëqenien e atyre të cilët i dua, e luftoj mosbesimin me premtimin që nëse unë, duke qenë nga natyra i lig, e di se si t’u jap gjëra të mira fëmijëve të mi, “aq më tepër Ati juaj, që është në qiej, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia lypin atij” (Mateu 7:11).

Prandaj, bëni çmos që ta luftoni mosbesimin me çdo premtim në librin e Perëndisë. Por është e dobishme të keni një armë qendrore dhe të gatshme. Për mua kjo armë ka qenë Isaia 41:10: "Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime." Ky është një premtim jashtëzakonisht i çmuar!


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia